Xheorxhina Roçi është vajza që “u ringjallë” pas leximit të librave. Ajo në moshën 12-vjeçare tentoi të vriste veten duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit. Kjo pasi në shkollë shokët dhe shoqet e bullizonin. Në një lidhje me Skype për “Virtual Wars” në ABC News, Xheorxhina ka rrëfyer historinë e saj traumatike.
“Në moshën 12-vjeçare unë ndihesha e pamjaftueshme, e padobishme. Si pasojë, ndjesitë e mia negative i kisha akumuluar përbrenda dhe nuk shprehesha. Unë kam qene një natyrë shumë introverte, isha ajo vajza e librave, që nuk shprehesha. Kjo ishte si njëlloj shënjestre për vajzat e tjera të grupit të shkollës, të cilat më shikonin dhe më thonin që nuk di të luash, nuk di të kërcesh. Kështu që duke mbajtur të gjitha këto lloj ndjesish brenda meje, vendosa që t’i merrja jetën vetes sepse më dukej e pakuptimtë, duke u hedhur nga kati i katërt i ndërtesës ku banoja me familjen në atë kohë”, u shpreh ajo.
Më tej, Xheorxhina zbuloi se “u rikthye” në jetë falë leximit të librave, të cilat nuk i ndan në asnjë moment. Ajo i ka konsideruar si një lloj terapie, të cilët e kanë ndihmuar të largojë emocionet negative.
“Mendoj që unë ndryshova komplet si Xheoxhinë. Nga një Xheorxhinë introverte dhe një Xheorxhinë që i interesonte opinioni i publikut, unë u bëra një natyrë që filloi të kuptonte që vetja është më e rëndësishme se çdo gjë. Prandaj, edhe shoqëria e re më ndihmoi, por dhe përqasja e re për jetën. Edhe librat ishin ata që shërbyen si një terapi shumë e mirë. Madje, edhe në autobus, metro apo avion, kudo që të jem, unë gjithmonë e kam një libër me vete. Librat kanë qene një terapi që mua më kanë shpëtuar nga çdolloj ndjesie apo emocioni negativ për të kuptuar më mirë natyrën njerëzore”, tha Xheorxhina./abcnews.al