Sektori për Hetimin e Krimit ekonomin në Drejtorinë e Policisë së Vlorës ka nisur procedimin penal për investitorin dhe administratorin e pallatit pa leje që u konfiskua një ditë më parë.
Mbi ta rëndon vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm”. Ndërsa mësohet se njëri prej tyre, 51 vjeçari Erion Ahmataj, më herët ka shërbyer në sektorin e urbanistikës në bashkinë e Vlorës.
Pallati që po ndërtohej në lagjen “10 Korriku”, aktualisht me dy kate mbi tokë, u konstatua nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit.
Ndrëkohë, në Vlorë ka vijuar edhe këtë të martë aksioni për lirimin e hapësirave publike. Dy persona janë proceduar penalisht, pasiu në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ushtronin aktivitet tregtar për parkimin e automjeteve, pa qenë të pajisur me leje përkatëse nga institucionet përgjegjëse dhe, pa qenë të regjistruar në organet tatimore.
Në Durrës aksioni në terren për lirimin e hapësiave publike u përqëndrua në zonën e hyrjes së qytetit. Fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit hoqën disa kioska të vendosura pranë zonës së portit.
Kioskat, strukturë druri ishin vendosur në anë të rrugës në kundërshtim me ligjin, pa marrë leje në autoritetet përkatëse. Në lidhje me këtë rast, policia ka shoqëruar në polici personin përgjegjës, i cili ka vendosur kioskat në hyrje të portit.