U bëmë për 1 lek!

schedule21:35 - 6 Gusht, 2022

schedule 21:35 - 6 Gusht, 2022

Nga Lutfi Dervishi:

Lajmi se Bordi i Transparencës ka ulur çmimin e litrit të naftës me 1 lek, ose 0.008 euro kapi të papërgatitur ekspertët, analistët vendas dhe të huaj, shoqatat e biznesit dhe të turistëve dhe sigurisht edhe opozitën dhe popullin opozitar! Edhe vetë qeveria mbeti pa fjalë.

Shoqatat e Turizmit në Shqipëri njëzëri e përshëndetën vendimin e bordit për të ulur çmimin e naftës me 1 lek dhe e quajtën lajmin më të mirë të sezonit. Tanimë, edhe Jugu i vendit që ka patur një sezon të vështirë, do të rigjallërohet. Me 1 lek më shumë në xhepat e tyre turistët vendas do të shpenzojnë më shumë.

Më herët Banka e Shqipërisë, ndërsa përshëndeti vendimin e Bordit si një vendim historik me implikime pozitive në spiralin e pritshëm të rritjes ekonomike, bërë një sqarim të detajuar në një përpjekje për të mos mbiçmuar lekun dhe për të mos e dëmtuar më tej euron dhe dollarin.

Deri dje kur flisnim për 1 lek, sqaroi një zyrtar i Bankës, kishim ne mendje monedhën me peshë 3.00 gr, me diametër 18 mm, me formë të sheshtë që është prej materiali përzierje baker-zink (çelik i veshur me baker) dhe që është në qarkullim në Shqipëri prej vitit 1997. Por sot me vendimin e Bordit të Transparencës, flasim për një monedhë që merr vlerën e arit të zi. Sot motorrët e ekonomisë shqiptare janë vënë në lëzizje dhe janë gati për një hop cilësor.”

“Kjo është shenja më e sigurtë se ne tani po dalim nga kriza që ka kapur gjithë botën. Për këtë arsye qeveria tërhiqet nga paketa e dytë mbështetëse që kishte planifikuar për pensionistët dhe bizneset, sepse thjesht tani nuk është më nevoja. Ky lajm i bordit, – tha një zëdhënës i qeverisë- është edhe një shuplakë për opozitën që na është qepur me gurë në trastë dhe na ka bërë për një lek në sytë e shqiptarëve”.

Agjencitë turistike raportuan për një lum kërkesash për të ardhur në Shqipëri! “Nuk ka më dhoma të lira deri në fund të shtatorit” – tha kryetari i shoqatës së agjencive turistike!
Konfindustria e cilësoi lajmin si ogur të mbarë për ekonominë e vendit dhe një garanci më shumë për investitorët e huaj që pritet të vërshojnë në Shqipëri.

“Klima e biznesit e rënduar nga konflikti i tejzgjatur politik, dhe akuzat krejt të pabaza për korrupsion në çështjen e incineratorëve, është përmirësuar në nivelin e vendeve nordike”.
Turistët e ndodhur në Shqipëri, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me të mësuar lajmin se nafta është ulur me 1 lek, u dyndën në 1370 pikat e karburantit në gjithë vendin, duke bllokuar qarkullimin për disa orë. Bllokim të përkohshëm pati edhe në pikat e kalimit kufitar, pasi shtetas të vendeve fqinjë nxituan të furnizoheshin me naftë në Shqipëri!

Tronditja që kaploi Shqipërinë u pasua menjëherë nga një tërmet i fortë në tregjet financiare dhe në vetë bursën e naftës. Euro dhe dollari pësuan rënien më të madhe karshi lekut që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Për shkak të mbylljes së bursave aziatike, jeni japonez doli më pak i dërrmuar pas këtij vendimi befasues të Bordit të Transparencës. Çmimi i naftës në bursë ra 8.7 USD për fuçi.
Komisioni Europian, G-7 dhe G-20 me një deklaratë të përbashkët, përshëndetën vendimin e Bordit dhe vlerësuan kontributin e ekonomisë shqiptare “në këtë kohë kur nga fronti i ekonomisë në përgjithësi dhe energjisë në veçanti marrim vetëm lajme shqetësuese.”

Një burim i Komisionit të BE-së, në kushtet e anonimatit, pranoi se me këtë lëvizje Shqipëria “ka bërë aq sa për të hapur dhe mbyllur 15 kapituj menjëherë”.

Vëzhguesit e jetës politike shqiptare nga Brukseli thanë se “1 lekshi” pritet që të ulë temperaturat e larta politike në vend.

“Protestat që po planifikonte, shoqëria civile dhe partitë e opozitës tashmë mund të quhen të asgjesuara, dhe në anën tjetër, temë debati në ditët e nxehta të gushtit, pas vendimit historik të Bordit, nuk pritet të jenë më as zjarret, as skandalet e supozuara, as akuzat për korrupsion. Të gjithë tani do të flasin për 1 lekshin. Të jemi të sinqertë deri në fund, Shqipëria me këtë vendim na ka bërë për 1 lek”

P.S. Me rastin e vendimit historik të Bordit të Transparencës, qeveria do të organizojë më 13 gusht një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!