U bë pjesë e propagandës ruse, njihuni me Babushka Z: Si qëndron e vërteta me gjyshen ukrainase

schedule15:50 - 15 Qershor, 2022

schedule 15:50 - 15 Qershor, 2022

Një grua e moshuar ukrainase duke tundur një flamur të kuq sovjetik është bërë imazhi i propagandës së Kremlinit. Në një video që tashmë është bërë virale shihet “Babushka Z” takon disa ushtarë që u pretendua se ishin ukrainas, sipas BBC.

BBC gjurmoi vendndodhjen e gruas, që të zbardhej e gjithë e vërteta. “Unë nuk mendoj se ata duhet të më lavdërojnë. Unë jam vetëm një grua fshatare. Nuk e kuptoj pse jam bërë një personazh i famshëm.”, tha për BBC gruaja e moshuar.

Gruaja që është bërë e njohur si Babushka Z – “gjyshja Z” në rusisht, duke iu referuar kështu simbolit të luftës ‘Z’, mërzitet teksa sheh fotot që janë bërë virale në Rusi.

“Unë kurrë nuk kam parë asnjë prej tyre,” thotë ajo.

Në video shihet ajo duke ecur drejt dy ushtarëve ukrainas teksa mban një flamur të kuq sovjetik. Ushtarët thanë se janë përpjekur ta ndihmojnë duke i ofruar edhe ushqime. Pastaj ia heqin flamurin dhe e hedhin në tokë.

Kështu gruaja, duke u ndjerë e fyer, ua kthen ushqimin. “Prindërit e mi vdiqën për atë flamur në Luftën e Dytë Botërore”, tha ajo e indinjuar.

Propaganda ruse rrallëherë përqendrohet te individët dhe ata e panë këtë grua si një shembull të rrallë të një ukrainase që i vinte keq për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe i konsideronte rusët si çlirimtarë, raporton abcnews.al.

Shumica e ukrainasve – madje edhe në rajonet rusishtfolëse nuk e kanë mbështetur pushtimin, kështu që valvitja e flamurit sovjetik nga ajo u përdor si provë se veprimet e Rusisë janë mbështetur nga banorët vendas.

Deri vonë, askush nuk e dinte identitetin e vërtetë të ‘Babushka Z’. Në fakt, askush nuk ishte i sigurt nëse ajo ishte gjallë. Emri i saj është Anna Ivanovna. Ajo jeton në një fshat afër Kharkiv në veri-lindje të Ukrainës, me burrin e saj, qentë, macet dhe lepujt.

69-vjeçarja duket e habitur kur gazetari i tregon fotot e statujës së bërë në imazhin e saj.

“A dukem vërtet kaq e moshuar?”, pyet ajo. Por historia e saj është shumë e ndryshe nga imazhi që kanë postuar mediat ruse. Ajo nuk e mbështet luftën.

“Si mund ta mbështes popullin tim që vdes? Nipërit dhe mbesat e mia u detyruan të shkojnë në Poloni. Ne jetojmë në frikë dhe terror.”

Pra, pse Anna përshëndeti ushtarët me një flamur sovjetik? Ajo thotë se është keqkuptuar.

Ajo pretendon se ngatërroi dy ushtarët ukrainas që i ofronin ushqimin me ushtarët rusë.

“Unë isha e lumtur që rusët do të vinin dhe nuk do të luftonin me ne. Isha e lumtur që do të bashkoheshim përsëri.”.

Flamuri i kuq, thotë ajo, nuk është flamuri i Bashkimit Sovjetik, jo i Rusisë, por “flamuri i dashurisë dhe lumturisë në çdo familje, në çdo qytet, në çdo republikë. Jo i gjakderdhjes. Dhe kushdo që thotë ndryshe, gabon”

Ndërsa Anna fliste, aty pranë dëgjohej zhurma e vazhdueshme e artilerisë dhe e luftimeve. Ajo nuk u tremb në asnjë moment pasi ishte mësuar me të.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!