Kreu i “Partisë së Lirisë”, Ilir Meta ka komentuar shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano.
Në fjalimin e tij për mediet Meta tha se shkarkimi i Nanos ishte një vendim i çuditshëm por i zakonshëm nga qeveria Rama.
“Një vendim i çuditshëm por tashmë edhe i zakonshëm. Në një kohë ku priteshin përgjegjësi më të larta politike. Është e qartë që u bë edhe një kokë turku e radhës. 10 muaj më parë ai u promovua me entuziazëm si një prurje e re dhe shpresëdhënëse. Nuk besoj se ka naiv në këtë vend që të besoj që drejtori i policisë deri dje apo deri para 10 vitesh që nga momenti që Rama u bë kryeministër, drejtori dhe performanca e tij ka qenë problemi. Hëngshin kokat me njëri tjetrin. Të gjithë e dinë se lidhjet e bandave janë të drejtpërdrejta me kryeministrin.”, tha Meta
Gledis Nano u shkarkuar nga detyra e tij si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Vendimi u mor pas mbledhjes së ministrave, ndërsa u bë publike nga vetë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i cili shkarkimin e Gledis Nanos e ka lidhur me mos përmbushjen e objektivave të vendosura.
Teksa tha se Nano nuk i ka realizuar detyrat, Çuçi ka shtuar se deri në një vendim të dytë Drejtor i Policisë do të jetë Tonin Vocaj i cili aktualisht mban postin e nëndrejtorit.
“Lidhet me mos përmbushje të objektivat në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë, me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit, Për momentin detyrat do i nënshtrojë drejtori i Policisë. Puna do jetë e gjithanshme, ngjarjet e ndodhur kanë qenë arsyeja se policia kërkon një reagim dhe një menaxhim më efikas”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Ngjarjet kriminale të ndodhur së fundi, Çuçi bën përgjegjës vetëm drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duke përjashtuar çdo mundësi për një largim mundshëm të tij. Për Çuçin, shkarkimi i Nanos është i mjaftueshëm që Policia e Shtetit të ketë një reagim më të fortë në luftën kundër krimit.
“Ka shkallë përgjegjësie deri tani, qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të Nanos është një masë efikase për të pasur një reagim më të fortë në luftën kundër krimit”, tha Çuçi në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Gledis Nano u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më Tetor 2021 duke pasuar Ardi Veliun në këtë detyrë.
/abcnews.al.

