Gjykata e Apelit ka ndryshuar masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Lezhës për disa ish-zyrtarë dhe specialistë të ALUIZNI-t dhe ASHK-së në Lezhë, se legalizuan disa ndërtime pa leje në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Sipas vendimit të Apelit, Gentian Malota, ish-drejtor i ASHK-së në Lezhë, Artur Shabaku, ish-përgjegjës i ALUIZNI-t në Lezhë, si dhe Artmir Maxhuni, specialist në këtë drejtori, mbeten në fuqi akuzat për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke iu caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Për inxhinieren e konstruksionit Luiza Bala dhe inxhinierin e ndërtimit Hekuran Xhina, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Lezhës nga “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”, në masën “arrest në shtëpi”. Këta të fundit akuzohen për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, sipas neneve 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal.
Hetimet janë nisur nga Prokuroria e Lezhës, e cila, në kuadër të procedimit penal nr. 135/2025, ka sekuestruar disa objekte ndërtimi pa leje, të cilat ishin legalizuar në kundërshtim me ligjin në zonën e Ranës së Hedhun. Kjo zonë është shpallur zonë me rëndësi kombëtare me vendimin nr. 01, datë 28.12.2020, të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Sipas organit të akuzës, ndërtimet janë kryer në mënyrë të paligjshme dhe më pas janë legalizuar përmes procedurave të dyshuara si abuzive. Për këtë çështje janë vendosur masa sigurie ndaj nëntë personave, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Gjykata e Lezhës kishte vendosur më herët masa më të lehta sigurie sesa ato të kërkuara nga Prokuroria, por kjo e fundit ankimoi vendimin, duke çuar çështjen në Apel, i cili sot ka shpallur vendimin përfundimtar mbi masat e sigurisë.
Në akuzë janë edhe ish-drejtuesit e IKMT-së në Lezhë, Kol Malaj dhe Flori Gjini, për të cilët janë lënë masat e sigurisë “ndalimi i daljes jashtë shtetit” për veprën penale “Shpërdorim detyre”, ndërsa për shtetasin me iniciale P.T. është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, kryer më shumë se një herë, dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.

