U arrestua pak ditë më parë, Shqipëria kërkesë Turqisë: Ekstradoni Dritan Rexhepin

schedule15:00 - 17 Nëntor, 2023

schedule 15:00 - 17 Nëntor, 2023

TIRANË– Prokuroria e Tiranës i ka dërguar kërkesë Turqisë për ekstradimin e Dritan Rexhepit, i cili u arrestua pak ditë më parë në Stamboll.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacion me qëllim paraqitjen e kërkesës për ekstradim nga Turqia në Shqipëri të shtetasit Dritan Rexhepaj. Ky shtetas, është shpallur në kërkim ndërkombëtar në janar 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kuadër të ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka shpallur Dritan Rexhepajn fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim, “vrasjes me dashje”, të kryer në bashkëpunim, dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 76-25 dhe 278/2 të Kodit Penal”, thuhet në Njoftimin e Prokurorisë.

43 vjeçari, i cilësuar si koka e kartelit të drogës, u arrestua  në Stamboll me një pasaportë kolumbiane, të regjistruar me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

– Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

– Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Gjithashtu, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!