U arrestua në Itali, SPAK kërkon ekstradimin e Adriatik Llallës

schedule10:33 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 10:33 - 14 Dhjetor, 2021

Interpol ka njoftuar SPAK për arrestimin nga autoritetet italiane të ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Sipas njoftimit të SPAK, pritet që Llalla të ekstradohet nga Italia për të vijuar me proceduar e dënimit të tij në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme i ka përcjellë ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e Adriatik Llallës nga Italia në Shqipëri.

Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është arrestuar të premten në kryeqytetin italian. Llalla prej dy muajsh ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana pasi është dënuar me 2 vite heqje lire për akuzën e fshehjes dhe mos deklarimit të pasurisë. Burime nga Interpol Tirana bëjnë me dije se, ish-prokurori është paraqitur të premten në gjykatën e Romës në Itali ku ka zhvilluar një seancë mbi një kërkesë për azil politik.

Të njëjtat burime sqarojnë se, në momentin që gjykata  po përgatitej për të dhënë vendimin në lidhje me kërkesën për azil, vihet në dijeni se në emër të Llallës kishte një vendim të formës së prerë nga gjykata e apelit të posaçëm në Shqipëri që e dënonte atë me dy vite heqje lirie.

Për këtë trupa gjyqësore, ka vendosur ti sekuestrojë ish-kryeprokurorit pasaportën duke i kërkuar që të mos lëvizë nga Roma pa dhënë ajo një vendim mbi kërkesën për azil politik, duke e lënë të lirë. Sakaq prokuroria e posaçme pritet që ti drejtohet me kërkesë autoriteteve italiane që në ditët në vijim të ekstradojnë drejt vendit tonë ish-kryeprokurorin për të vuajtur dënimin me burg.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit për akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave dhe “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. Në fund prokuroria i kërkoi gjykatës që Llalla të shpallet fajtor për fshehjen dhe mos deklarimit të pasurisë, kërkesë kjo që u pranua nga të dyja shkallët e gjykimit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!