U arrestua në Emiratet e Bashkuara/ Kush është Dritan Gjika, shqiptari që ndërtoi perandori droge në Ekuador

schedule20:41 - 26 Maj, 2025

schedule 20:41 - 26 Maj, 2025

Dritan Gjika, një shtetas shqiptar i lindur në Shkodër në vitin 1976, është kthyer në një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar ndërkombëtar. I vendosur në Ekuador prej më shumë se një dekade, ai ka ndërtuar një rrjet të sofistikuar trafiku ndërkombëtar droge dhe pastrimi parash, duke përdorur kompanitë e tij të regjistruara ligjërisht si mbulesë për aktivitetin kriminal. Nën profilin e një biznesmeni që operonte në eksportin e produkteve bujqësore, ndërtim dhe madje edhe kultivimin e kanabisit, Gjika kishte arritur të fuste tonelata kokainë në tregjet evropiane.

Ai u shfaq për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 dhe në vitin 2013 regjistroi kartën e identitetit ekuadoriane në qytetin Guayaquil, që prej atëherë konsiderohet edhe si vendbanimi i tij zyrtar. Aktiviteti i tij i parë i dokumentuar si biznesmen fillon në vitin 2014, kur bleu aksione në kompaninë “Cresmark”, eksportuese e produkteve bujqësore, ku kishte ortak edhe shqiptari tjetër, Erjon Spahiu. Ky ishte vetëm fillimi i një operacioni që do të përfshinte një sërë kompanish me emra të ndryshëm, por me të njëjtin qëllim: pastrimin e parave dhe fshehjen e drogës në ngarkesat me fruta.

Më 17 qershor 2021, Gjika themeloi tetë kompani në një ditë të vetme së bashku me Rubén Cherres, një biznesmen ekuadorian me lidhje të forta politike, i cili më vonë u vra në mënyrë brutale në vitin 2023 në Santa Elena. Gjika dhe Cherres krijuan gjithsej 13 kompani, shumica në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme. Kompanitë e tyre u hetuan për mosrespektim të ligjeve kundër pastrimit të parave, ndërsa emri i Gjikës do të dilte më vonë edhe në një dosje të publikuar nga mediat ekuadoriane, që përfshinte figura të afërta me ish-presidentin Guillermo Lasso.

Sipas autoriteteve ekuadoriane dhe spanjolle, Gjika kishte ndërtuar një strukturë kriminale që niste kokainë nga laboratorët kolumbianë drejt Ekuadorit, ku ruhej në sasi të mëdha në provincat Cotopaxi, Los Ríos dhe Guayas. Prej andej, droga futej në ngarkesat e bananeve dhe eksportohej drejt vendeve si Spanja, Belgjika, Holanda, Turqia dhe Shqipëria. Vetëm në Shqipëri, në vitin 2021, në disa raste janë kapur ngarkesa me kokainë në kontejnerët që vinin nga Amerika e Jugut, përfshirë 10 kilogramë në portin e Durrësit, me porositës firmën “Alba Exotic Fruit”, e përmendur edhe në hetime të mëparshme në Greqi për një rast të ngjashëm me 137 kg kokainë.

Ndërkohë, në media qarkullonin regjistrime audio ku dëgjoheshin biseda të Gjikës me njerëz të afërt të pushtetit. Në një raport të Prokurorisë ekuadoriane, emri i tij lidhej drejtpërdrejt me dosjen “León de Troya”, një hetim për trafik droge dhe korrupsion që përfshinte edhe Danilo Carreran, kunatin e ish-presidentit Lasso. Megjithatë, në janar të vitit 2022, Prokuroria kërkoi mbylljen e hetimit, duke deklaruar se mungonin elementët penalë. Kjo lejoi Gjikën të vazhdonte aktivitetin e tij të paligjshëm pa ndërhyrje.

Hetimi që e përfshinte atë u rifillua pas vrasjes së partnerit të tij Cherres, dhe kulmoi me operacionet policore “La Pampa” dhe “Gran Fénix XIII”, të zhvilluara në bashkëpunim mes autoriteteve ekuadoriane dhe spanjolle. Operacioni final, i zhvilluar më 6 shkurt 2024, identifikoi Dritan Gjikën si drejtuesin e organizatës kriminale, por ai nuk u arrestua në atë moment. U zbulua se përmes kompanive të tij dhe njerëzve të përfshirë, ai kishte pastruar mbi 30 milionë dollarë në sistemin financiar ekuadorian.

Në vitin 2023, përpara se të shpërthenin publikisht hetimet dhe të transmetoheshin audion e skandaleve, Gjika u largua drejt Turqisë dhe më pas dyshohej se kishte kaluar në Dubai.

Rasti i Dritan Gjikës është vetëm një nga shumë të ngjashëm që tregojnë shtrirjen e mafias shqiptare në Amerikën Latine. Sipas Kombeve të Bashkuara, grupet kriminale nga Ballkani, përfshirë shqiptarët, kanë krijuar aleanca strategjike me kartelet kolumbiane dhe meksikane për të kontrolluar eksportin e kokainës drejt Europës, ndërsa përdorin figura me profil të lartë biznesi për të maskuar aktivitetin e tyre. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!