U arrestua në Dubai/ Si planifikonin Ervis Martinaj e Shullazi vrasjen e Durim Bamit

schedule11:20 - 12 Qershor, 2024

schedule 11:20 - 12 Qershor, 2024

Durim Bami, i arrestuar këtë të mërkurë në Dubai, kërkohej nga drejtësia shqiptare, por ishte gjithashtu edhe objektiv i bandave kriminale. Në jo pak rastet, bandat rivale kanë kërkuar ‘kokën e tij’. Në operacionin më të fundit të SPAK, Revansh, dolën në pah prishjet e pazareve, konfliktet mes bandave, si edhe planet për vrasjen e Durim Bamit.

Përgjimet u trajtauan në emisionin Gjërat Tona në ABC News.

Ndoka – Martinaj – Shullazi – Avdyli bashkë për të vrarë Durim Bamin

Gjithçka nis një mëngjes dhjetori të vitit 2017 në Lezhë. Plumbat e kallashnikovit i marrin jetën Aleksandër Ndokës, brenda makinës, kur sapo kishte parkuar para shtëpisë. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe kryeinspektori i IKMT-së për Veriun, u qëllua me breshëri  në makinën e tij “Mitsubishi”. Aleksandri ishte vëllai i Arben Ndokës, në atë kohë deputet i Partisë Socialiste. Për shumë kohë ai i besoi drejtësisë. Por nga ana tjetër nisi hetimet vetë për të zbuluar autorët.

E atëherë kur nuk ishte më deputet, për shkak se e humbi mandatin, Arben Ndoka nisi të punojë vetëm në këtë drejtim. Të zbulojë se kush i kishte vrarë vëllain. I bindur se pas kësaj ngjarje ishte Durim Bami, një personazh që drejtonte grupin në zonën e Niklës në Fushë-Krujë, Ndoka nis bashkëpunimin me grupe të tjera për eliminimin e tij.

Në janar të vitit 2020 zhvillohet një bisedë në SKY mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit, që edhe pse ndodhet në burg, përdor një celular, madje ka edhe SKY. Markleni e informon Emiljanon për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.

Shullazi – Marklen Haka

Emiljano Shullazi: Kape… mos ja zgjat, se jam këtu dhe robt që janë jashtë, me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardhë në Nikël dhe me mbaru punë. Po të jem vetë e mbaroj aty te dera e shtëpisë. Ky legeni që është këtu në burg, Rraja (Redjan Rraja), thotë që Duri është më i fuqishmi aty. I bën Reklamë.

Ai Duri i ka çuar haber atij Nokës (Arben Ndokës) që të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë.

Si t’ja bëjmë me e kap k… me e rrjep me e torturu, ishalla ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan.

Ndërsa në muajin mars të vitit 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndokën, duke i dhënë informacione për lëvizjet e Durim Bamit, por pa i thënë që këto informacione i merrte nga Marklen Haka.

Shullazi – Arben Ndoka

Emiljano Shullazi: Po më thotë tani që rri aty te Oxhaku shumë dhe del edhe pa blind te lokal “A…” dhe me shumë se 20 minuta nuk rri. Rri me çunin e xhajës së vet, atë Koçin (Gentian Koçi) dhe Ervin Kodrën nga Tapiza. Është fol me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin). Don terezi ai m… se del një ditë dhe rri gjithë javën pa dalë. Shohim mos po i vjen ora. Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë e kush ka gjuarjru. I flet Valteri të gjitha pastaj sa t’i thuash e ke radhën ti.

Bisedat vijojnë edhe me persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me qëllim vrasjen e Durim Bamit, por në asnjë rast nuk arrijnë ta realizojnë. Në një moment, në gusht të vitit 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj, për faktin që Shullazin e kishin izoluar në regjimin e posaçëm “41 Bis”.

Ndoka – Martinaj

Ervis Martinaj: Milin e qitën jashtë loje, s’na mbaron punë dot më. Kush ja boni sipas teje? E çun te bizi 1 vit. S’i ke pa lajmet?

Arben Ndoka: Unë fola me Gentin (Gentian Bejtja). Na duhet një makinë. Shiko nëse mundesh sa më shpejt më mir.

Ervis Martinaj: Po katerfererëshin tënd që ma ke dhan mu, ku do me ta sjellë? Po kam edhe Audi. Po presim ca ditë për atë. Fshihen ca kamera të qytetit që janë marrë, kamerat e bashkisë. Po çove ata njerëzit e tu thua? Kshu bëhet. Ndryshe ata s’kanë by…. Mllef të madh kanë ata, kjo ka rëndësi.

Nga çfarë rezulton gjatë hetimeve të SPAK, Arben Ndoka është i angazhuar për të vrarë Durim Bamin, pasi dyshon se është autori kryesor dhe organizator i vrasjes së vëllait të tij. Gjatë komunikimeve në SKY me persona të tjerë, Ndoka shprehet se është i interesuar që t’i vrasë vëllezërit Durim e Valter Bami, por edhe kushdo që të jetë në prezencën e tyre. Për këtë qëllim ai bashkëpunon me familjarë dhe miq.

Një ndër ta është edhe Arian Tuku, bashkëshorti i vajzës së tij, i cili e mbështet duke i krijuar kontakte me persona të tjerë që të kryejë vrasjen, e ndihmon ekonomikisht dhe me informacione për ta lokalizuar Durim Bamin. Nga ana tjetër, Tuku është i gatshëm që të transferojë para nga llogaria e tij bankare në Itali drejt një banke në Shqipëri që t’i përdorin për këtë qëllim. Ndoka bashkëpunon gjithashtu edhe me nipin, Samuelin, i cili është djali i vëllait të vrarë. Me porosi të xhaxhait të tij, Samuel Ndoka mban kontakte me Gentian Bejtjan dhe Naim Stafukën, të cilët i kanë treguar vendet që frekuenton Durim Bami, automjetet që përdor dhe oraret kur lëviz. Samueli po ashtu mban kontakte edhe me Aldo Avdylin dhe Arben Mërkurin, persona të kontraktuar për të kryer vrasjen.

Bashkëpunimin kryesor për realizimin e vrasjes së Durim Bamit, Arben Ndoka e ka me Ervis Martinajn, që ka financuar për lkëtë qëllim, ka kontraktuar persona që të angazhohen në vrasje, si dhe ka siguruar automjete për vëzhgimin. Gjithashtu, Ndoka lidh aleancë edhe me Astrit Avdylin, me qëllim vrasjen e Durim Bamit dhe marrjen peng të vëllait të tij, Valter Bami.

Gjatë hetimeve të SPAK del në skenë edhe Emiljano Shullazi, i cili edhe pse ndodhet në burg, ka një rol kryesor në bashkëpunimin me Arben Ndokën, për realizimin e vrasjes së Bamit. Shullazi angazhon në të mision edhe Marklen Hakën. Po ashtu, Ndoka bashkëpunon edhe me Behar Bajrin për këtë qëllim.

Në një nga episodet ku tentohet eliminimi i Durim Bamit, kur ai ndodhet në plazh në Ksamil, në gusht të vitit 2020, bien në sy veprimet aktive të Gentian Bejtjas, i cili u vra më 15 mars 2024 dhe si të dyshuar për ngjarjen Policia e Tiranës pati vëllezërit Bami, të cilët rezultuan se ndodheshin në Dubai. Bejtja shfaqet duke komunikuar me kunatin e tij, i cili ndodhet në plazh me Bamin dhe nga ai merr informacionet që më pas ia transmeton Arben Ndokës. Nga bisedat që bëhen mes tyre, rezulton se bëhet fjalë për Ramazan Sinon, i cili mbeti i vrarë në një tjetër atentat para shtëpisë së Gentian Bejtjas, më 4 korrik 2023, kur ndodhej në makinë bashkë me dy djemtë e Gentianit.

Gentian Bejtja – Arben Ndoka

Gentian Bejtja: Deri nga ora 2 ka qenë duke ngrënë drekë në restorant. Ta pys. Fola, deri tani aty ishte. I kishte dhënë çunit tim 200 euro, për qejf gjoja. Po i mori peshqipër, tha mos ndërroj vend. Kishte thënë se do rrinte disa ditë. Dje kishte shkuar. Duhet me i nejt gati, ndoshta s’del natën. Nesër e ke në shezllon,  po ishalla s’po ik fare.

Gentian Bejtja: Gjej rob ta bojë aty (ta vrasë). Mos nigjo barcalketat e atij që thoshte se maroj punë në Durrës. Se në Durrës e marojnë të gjithë. Po është turp për zotin me e lon. S’do ta gjejmë mo at shanc. Bo bo sa gjynaf mos me maru pun. Mos prit me gjet makinë se ndoshta s’ka fare.

Gentian Bejtja: Do gjoja me më taku dhe mu. I kishte thonë kunatit jena prish kot, na kanë ngatërru të tjerët me keqkuptime. Ai do shkri me acid. S’ka rob më të pabesë. Shif gjej ndonjë ulja automatin. Mos u tremni nga shteti po maro punë. Ta rujn ato që janë aty se kunati mund ta ruj më se e njofin. Është t’u rreziku kot se ai është në punë në prokurori.

Me gjithë angazhimin maksimal për ta ekzekutuar në plazh, Durim Bami arrin të largohet. Këtu nis angazhimi i Ervis Martinajt, i cili përveç mbështetjes me automjete dhe njerëz, ka futur edhe një vajzë që të joshë një nga personat që shoqëron Bamin.

Arben Ndoka  – Ervis Martinaj

Ervis Martinaj: Janë në aksion por kemi problem me informatorët që kanë shku atje. Nuk e njohin mirë dhe më duket se është nis për ketëj. Një grup është në rrugë dhe dy grupe janë atje.

Arben Ndoka: Ke ndonjë person të lirë që të shkojë e të vendoset në Rrogozhinë. Kam çuar dikë po s’po më përgjigjet në telefon. I kam çuar gjithë njerëzit andej, ndërsa këta po presin në Shkozet. Por më duhet lajmi që Benzi po vjen. Ai është nisur me ardhë por personi që kam çuar me pa rrugën nuk po më përgjigjet. Benzi i bardhë me targa gjermane, në atë ka hip.

Ervis Martinaj: Se mos ndërron makinë rrugës kam hall.

Arben Ndoka: Kam dy makina në Ksamil dhe njërën po e tërheq, ndërsa tjetra do rrijë atje. S’ka ardhë akoma. Besoj që ka kalu me një Golf dhe me një Range. Ata që kam atje nuk e njohin, vetëm me fotografi. Do ketë ikur dhe ata po kthehen.

Ervis Martinaj: Atje rrinë te lokali që ka bërë Duri. Aty t’i bluajmë se e marr vesh nga Gent Koçi. Shumë afër e mban atë Gent Koçin ku…, por këtë e kemi në xhep se i kam fut një shoqen time.

Gjatë hetimeve del në skenë edhe Behar Bajri, i arrestuar në vitin 2023 në kuadër të operacionit Metamorfoza. Pasi kanë dështuar disa tentativa, në një moment Arben Ndoka bisedon me Behar Bajrin, ku ky i fundit i thotë që është doku folur me Durim Bamin dhe i është shprehur se do shkojë ta takojë në Shkodër.

Behar Bajri – Arben Ndoka

Behar Bajri: Nëse vjen Duri me Mariglenin, se thojnë dun me ardhë me më taku, i ke gati nëse vijn. Se ty të dojnë të vdekur. Unë i thashë që nuk kam muhabet me të.

Arben Ndoka: Ok. Super.

Behar Bajri: Nëse vijn, për zotin me ju …. Po erdhi me më taku është i vdekur.

…..  O shok nuk erdhën po më nisën lekët.

Gentian Bejtja – Arben Ndoka

Gentian Bejtja: Deshtëm me u taku. Duri duke pi kafe në mes të Fushë-Krujës, te karriget jashtë. Na ka ik truri. A ke noj maskë të mirë silikoni të vijmë ta marrim se e bëjmë vetë unë me Naimin. Ata thonë do vijmë nesër dhe nuk vijnë deri të premten tjetër. Të premten gjejnë ndonjë rrenë tjetër. I tha Naimi hajde se shes objektin, 200 mijë euro ua jap vetëm ta mbaroni. S’kemi qejf ta zgjasim shumë. Unë një punë që e nis, maksimumi një javë e mbaroj.

Pas kësaj bisede që Arben Ndoka kryen me Gentian Bejtjan, më 4 nëntor 2020, ndodh edhe atentati. Jo në lokalin ku kishte informuar Bejtja, por në makinë, tek Ura e Tapizës. Është qëlluar me armë zjarri nga një automjet “Golf” ngjyrë gri në drejtim të Durim Bamit i cili drejtonte makinën “Range Rover”, të zezë, me targa italiane. Ai ka qenë duke udhëtuar nga Ura e Tapizës në drejtim të Fushë-Krujës dhe pasagjer ka qenë djali i hallës së tij, Ervin Kodra, i cili mbeti i plagosur. Nga hetimet e kryera, rezulton se personat që kanë pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, kanë qenë Hektor Xheçuka dhe Florenc Kelmendi. Ndërsa Albert Zaja e ka vëzhguar atë nga Kamza në Tapizë. Në Fushë-Krujë e ka vëzhguar Marklen Haka. Këtë ngjarje, sipas SPAK e ka porositur dhe financuar Ervis Martinaj, që ka kontraktuar Xheçukën dhe Zajën.

Megjithatë, edhe pas angazhimit e ndjekies së tij nga Veriu në Jug, vrasja e Durim Bamit nuk u arrit të realizohej, ndonëse ishin angazhuar 15 persona.

Durim Bami e Endrit Dokle bashkë për të vrarë Arben Ndokën

Pasi i shpëtoi një atentati në afërsi të Urës së Tapizës, Durim Bami nisi të interesohej së kush e kishte organizuar sulmin ndaj tij dhe arriti ta zbulonte. Në këtë formë ai vendos të hakmerret, por nga ana tjetër edhe të parandalojë një sulm tjetër të mundshëm ndaj tij. Kjo edhe për arsye se kishte mësuar për një aleancë mes Arben Ndokës dhe Ervis Martinajt.

Grupet kriminale që drejtohen nga Durim Bami, Leonard Duka dhe Endrit Dokle janë bërë bashkë për të realizuar vrasje. Në dosjen e SPAK, janë disa episode planesh për organizim vrasjesh, ku njëri prej tyre, është sigurimi i kushteve për të vrarë Arben Ndokën. Një tjetër është për të vrarë Ervis Martinajn.

Në episdonin e sigurimit të kushteve për të vrarë vrasjen e Arben Ndokës, rezulton të jenë angazhuar të paktën 4 persona: Durim Bami në rolin e organizatorit, Endrit Dokle në rolin e personit që siguronte informacione për vendodhjen e tij, Xhelal Rraja në rolin e organizimit të personave që do të kryenin vrasjen e Ndokës dhe Marklen Haka në rolin e siguruesit të vrasësve, të ruajtjes dhe ndjekies së Arben Ndokës.

Durim Bami komunikon në SKY me Endrit Doklen në lidhje me mundësinë e vrasjes së Arben Ndokës. Endriti i tregon Durimit se Ndoka ka mundësi që të shkojë për kafe dhe qokë në rrugën e Elbasanit, tek pallati i kuq, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha. Në një tjetër episod, pasi ka kërkuar informacione lidhur me automjetin nga ku e kishin qëlluar në atentatin e vitit 2020, Durim Bami nis bashkëpunimin për indetifikimin e personave tjerë që kishin marrë pjesë. Dy prej tyre ishte Erigers Mihasi, një prej njerëzve më të afërt të Ervis Martinajt dhe Hektor Xheçuka. Ajo çfarë del në dosjen e SPAK është roli i dyfishtë i Marklen Hakës. Ndonëse fillimisht akuzohet si një prej pjesëmarrësve në atentatin ndaj Durim Bamit, në vitin 2020, më vonë shihet duke bashkëpunuar me të.

Gjatë komunikimeve në SKY, në janar të vitit 2021, zbulohet edhe një miqësi e Durim Bamit me ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morina, i cili shprehet i shqetësuar për të pas një aksioni që kishin zhvilluar forcat speciale.

Durim Bami – Altin Morina

Altin Morina: Të kam shkruar 100 herë se u bëra merak natën që erdhi RENEA. Më lajmëruan çunat e RENEA-s, më thanë po shkojmë te ai shoku yt, Durim Bami. Shkova të takoja kushëririn që ka lokalin te Oxhaku, po nuk e gjeta.

Nga hetimet dhe analizimi i bisedave të zhvilluara në SKY, rezulton se Durim Bami është informuar në vazhdimësi nga Endrit Dokle, për një mundësi për të vrarë Arben Ndokën më 28 janar 2021. Ndërsa e orientonte që për të gjitha veprimet të lidhej me Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, që sipas hetimeve rezulton që kishin organizuar dhe planifikuar të gjitha kushtet me qëllim vrasjen e Ndokës. Ndonëse dikur i përkisnin të njëjtit krah politik, duket se dy ish-deputetet e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Rrahman Rraja, i cili është vëllai i Xhelal Rrajës, në jetë kanë qenë kundër njëri-tjetrit. Durim Bami del që komunikon me Xhelal Rrajën për gjetjen e vrasësve. Kanë koordinuar të gjitha veprimet, derisa më vonë, në një tjetër komunikim me Endrit Doklen, kanë pritur dhe për pak dhe janë larguar, duke qenë se vizita e Arben Ndokës në adresën e dhënë nuk u realizua për arsye që nuk vareshin nga ata.

Viktimat e konfliktit, i fundit Roan Brahimi

Konflikti i hapur mes grupeve kriminale të Durrësit, Tiranës, Lezhës dhe Niklës, ka shkaktuar dy të vrarë edhe gjatë këtij viti.

Më 15 mars 2024, pas 3 atentateve të dështuara, ekzekutohet Gentian Bejtja, i cili në dosjen e fundit të SPAK del në krahun e Ervis Martinajt, Arben Ndokës dhe vëllezërve Avdylaj, duke bashkëpunuar me ta për vrasjen e Durim Bamit. Për këtë ngjarje, Policia e Tiranës pati dyshime që në krye të herës që ishte realizuar nga vëllezërit Bami, të cilët në fakt ndodheshin në Dubai.

I fundit që u ekzekutua nga kjo përplasje aleancash, ishte Roan Brahimi, që njihej si rivali i Ervis Martinajt. Ai u qëllua për vdekje mbrëmjen e 9 majit 2024 në mes të Athinës, kur kishte vetëm 3 ditë që ishte kthyer nga Dubai. Roan Brahimi ishte akuzuar për vrasjen e Klisman Preçit, gjatë një atentati që synonte eliminimin e Ylli Brahimit, krahu i djathtë i Ervis Martinajt.

Ndoka dhe Bami në arrati

Pas vitit 2020, periudhë që i përket edhe hetimit të SPAK, rezulton që nga të dy krahët të jenë vrarë 4 persona. Në fillim ishin njerëzit e Ervis Martinajt, më pas edhe armiqtë e tij. Më 13 nëntor të vitit 2021 ekzekutohet miku i tij, Erigers Mihasi. Ai ishte duke lëvizur me makinë në zonën e “Astirit”, së bashku me Armando Dumanin, kur u qëllua me breshëri kallashnikovësh nga një makinë tjetër. Nga të shtënat humbi jetën gjithashtu edhe Armando Dumani.

Më 17 korrik 2022 ndodh goditja më e rendë për Ervis Martinajn, vritet kushëriri i tij, njëkohësisht njeriu iu tij më i afërt, Brilant Marrinaj. Ai u ekzekutua në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. Autorët qëlluan me breshëri kallashnvikovi drejt makinës me të cilën po udhëtonte Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.

Nga ana tjetër, Roan Brahimi , i cili u vra në Greqi, ishte akuzuar për vrasjen e Klisman Preçit, gjatë një atentati që synonte eliminimin e Ylli Brahimit, krahu i djathtë i Ervis Martinajt.

Ndërkohë ata që krijuan të gjithë këtë përplasje, që duket se nisi në vitin 2017 në Lezhë kur u vra Aleksandër Ndoka, nuk janë kapur ende. Arbën Ndoka dhe Durim Bami vijojnë te jenë në arrati.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!