DUBAI- Arrestohet në Dubai Bujar Sefa, i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit “Rraja”. Ai u shpall në kërkim nga SPAK më 15 dhjetor 2025 si pjesë e një grupi, i cili kishte trafikuar 2.4 tonë kanabis dhe kokainë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Më herët, Sefa i kishte shpëtuar arrestimit nga policia gjatë një operacioni në fshatin Nojë, ku u sekuestruan 145 kilogramë hashash dhe municion luftarak.
Po ashtu telashet e tij me drejtësinë nuk janë vetëm në Shqipëri.
Ai është në kërkim dhe nga autoritetet italiane, pasi është dënuar në Itali me 12 vjet e 9 muaj burg, ndërsa i janë konfiskuar pasuri me vlerë deri në 346 mijë euro.
Nga dosja hetimore rezulton se Bujar Sefa, i njohur edhe si Xaka, kishte rol drejtues në një grup kriminal që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike.
Nga përgjimet e kryera, ai kujdesej për punëtorët e angazhuar në parcelat e kanabisit./abcnews.al


