Është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg” për Pandeli Kokoveshin, i cili u arrestua me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, për blerje votash.
Vendimi, Kokoveshit iu komunikua në QSUT, ku u dërgua me ambulancë nga Vlora, aty ku ishte në paraburgim, për shkak të problemeve me zemrën.
“Edhe për arrestuarin Pandeli Kokoveshi, i cili ishte shoqëruesi i kandidatit për Bashkinë e Himarës, “Bashkë Fitojmë”, Fredi Belerin, ka përfunduar edhe seanca që u mbajt në dyert e QSUT këtu në Tiranë dhe u vendos masa e sgurisë “Arrest me burg”, raportoi gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra.
Prokuroria e Vlorës e akuzon atë dhe Fredi Belerin, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, për blerje votash.
Ata janë ndaluar dje pak pas mesnate në Himarë, pasi një agjent i infiltruar ka përgjuar pazarin për vota. Sipas informacioneve paraprake, Beleri do të paguante 400 mijë lekë të vjetra për 8 vota. Ndërkohë, Prokuroria thotë se ka prova, se Fredi Beleri ka premtuar dhe ka dhënë para.
Ndërkaq, po sot, Gjykata e Vlorës ka vendosur që Fredi Beleri të qëndrojë në burg. Gjyqtarja Dorina Stroka, e cila e vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës.