U anëtarësua në NATO, Finlanda vendos tela me gjemba në kufi me Rusinë

schedule07:24 - 16 Prill, 2023

schedule 07:24 - 16 Prill, 2023

Më pak se dy javë pas anëtarësimit në NATO, Finlanda ka nisur të vërë tela me gjemba në kufirin me Rusinë, një veprim që ka si synim kryesor frenimin e kalimit të paligjshëm të kufirit.

Roja kufitare finlandeze tregoi të premten ndërtimin e tre kilometrave të parë të kësaj vije ndarëse me tela me gjemba, në zonën e Pekolas, pranë qytetit në bregun e liqenit Imatras me 25,000 banorë.

Vija kufitare e Finlandës me Rusinë është, 1,340 kilometra, më e gjata ndër të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Ndërtimi i gardhit kufitar u miratua vitin e kaluar nga qeveria e Kryeministres Sanna Marin me një mbështetje të gjërë politike.

Zyrtarët finlandezë të kufirit thonë se qëllimi kryesor i gardhit prej çeliku, me lartësi tre metra dhe me një zgjatim me tela me gjemba në krye, është të parandalojë kalimet e paligjshme nga Rusia dhe t’u japë kohë autoriteteve që të reagojnë.

Gjatë viteve 2015-2016, Moska u përpoq të ndikojë tek Helsinki, duke organizuar një numër të madh azilkërkuesish në pikat e kalimit kufitar verior të Finlandës.

Autoritetet ruse shtynë mijëra azilkërkues, kryesisht nga Iraku, Afganistani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, drejt këtyre pikave të kalimit kufitar.

Lëvizja u cilësua si një shfaqje force nga ana e Moskës. Çështja u zgjidh kur presidenti finlandez Sauli Niinistö zhvilloi bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Fluksi i emigrantëve u ndal menjëherë pas kësaj.

Finlanda me një popullsi prej 5.5 milionë banorësh, që u bë zyrtarisht anëtar i NATO-s më 4 prill, synon të parandalojë përsëritjen e një skenari të tillë.

Megjithatë, zyrtarët kufitarë pranojnë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ishte arsyeja kryesore që nxiti Finlandën t’i bashkohej aleancës dhe të ndërtonte kufirin me tela me gjemba.

“Ndërtimi i barriesës kufitare nuk ishte një temë politike para luftës (në Ukrainë). Dhe në fakt, nuk ishte as në planet e rojes kufitare finlandeze,” tha për Associated Press Gjenerali Jari Tolppanen, kreu i divizionit teknik të Rojes Kufitare Finlandeze. “Gjithçka ndryshoi pas sulmit (të Rusisë kundër Ukrainës)”.

Ndërtimi i vijës ndarëse me tela me gjemba është parashikuar të përfundojnë në fund të kësaj vere dhe pritet të ketë një gjatësi maksimale prej 200 kilometrash.

“Në këtë situatë të re, duhet të të rrisim kontrollin kufitar,” tha zoti Tolppanen. “Ne duhet të forcojmë burimet tona. Dhe gardhi është i nevojshëm për të menaxhuar, për shembull, emigracionin e paligjshëm në shkallë të gjerë.”

Qyteti finlandez Imatra ndodhet vetëm shtatë kilometra larg qytetit industrial rus të Svetogorskut në rajonin e Karelias dhe është disa orë larg me makinë nga qyteti i dytë më i madh rus, Shën Petersburgu.

Qyteti ka një histori të gjatë në marrëdhëniet me rusët – turistë, pushues ditorë dhe banorë të përhershëm.

“Këtu në Imatra, ne nuk kemi aq frikë nga rusët,” tha Antero Lattu, nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Imatrës, “por ne jemi të lumtur për vënien e gardhit”.

Projekti i gardhit kufitar vlerësohet të kushtojë rreth 380 milionë euro dhe është planifikuar të përfundojë deri në vitin 2026./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!