Në një seri mesazhesh në Twitter kreu i Shtëpisë së bardhë u ka kërkuar katër deputeteve demokratë me ngjyrë që të kthehen nga vendet që kishin ardhur. Këto të fundit kritikuar kushtet e këqija në qendrat për mbajtjen e emigrantëve në vend.
Të dielën e 14 Korrikut presidenti amerikan Donald Trump sulmoi grupin e katër deputeteve të Partisë Demokratike, duke u kërkuar që të kthehen andej nga kanë ardhur. Pa përmendur emra, Trump i referohej katër grave me ngjyrë, tre prej të cilave kanë lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Alexandria Ocasio-Cortez, e lindur në Nju Jork nga prindër portorikanë, afro-amerikania Ayanna Pressley, Rashida Tlaib, vajzë e emigrantëve palestinezë dhe Ilhan Omar, e lindur në Somali dhe më pas e emigruar në Minesota. Deputetet kanë kundërshtuar ashpër kushtet e këqija ku mbahen emigrantët në qendra dhe në kufi si dhe politikën e Trump: “tolerancë zero”.
Në postimin e tij Trump shkruan: Është shumë interesante të shohësh deputete demokrate progresiste, që e kanë origjinën nga vende ku qeveritë janë një katastrofë e plotë dhe totale, më të këqinjtë, më të korruptuarit dhe pa ndikim në botë, t’i thonë me zë të lartë popullit amerikan, kombit më të madh dhe më të fuqishëm në Tokë, se si duhet drejtuar qeveria jonë. Përse nuk kthehen andej nga kanë ardhur dhe të ndihmojnë vendet të mbuluara nga krimi nga të cilat vijnë? Pastaj mund të kthehen dhe të na tregojnë se si e bënë.
Trump ironizoi dhe për faktin se Nancy Pelosi – kryetarja e Kongresit dhe ajo e kritikuar nga katër deputetet – do të ishte shumë e lumtur të organizonte shpejt dhe falas udhëtimin e tyre për në vendet e origjinës. Fjalët e Trump u cilësuan si raciste dhe shkaktuan shumë reagime, ndërsa Nancy Pelosi ka dalë në mbrojtje të katër demokrateve. Ajo u shpreh se kur Trump premton të bëjë Amerikën e Madhe sërish, në fakt pretendon të bëjë të bardhë atë.
Pas fjalëve të Pelosit, Trump reagoi sërish duke thënë se është e trishtueshme që demokratët të mbështesin persona që flasin keq për vendin dhe që urrejnë Izraelin. Një nga deputetet e përfshira u shpreh se si anëtare e Kongresit, i vetmi vend të cilit i është betuar janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe për këtë arsye luftojnë për të mbrojtur nga presidenti më i keq, më i korruptuar dhe më i papërshtatshëm që ka pasur ndonjëherë vendi. Ndërsa Alexandria Ocasio-Cortez shkruan se Trump nuk pranon atë pjesë të Amerikës që i ka zgjedhur ato./ABC News Albania 24/7