Platforma sociale e njohur në botë, “Twitter”, vendosi të bllokojë përfundimit llogarinë e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për nxitje të vazhdueshme të dhunës.
Drejtori financiar i kompanisë “Twitter”, Ned Segal, u shpreh se Trump nuk do lejohet të hapë një llogari në këtë rrjet social edhe nëse kandidon sërish për president të SHBA-ve.
“Sipas rregullave tona, kur përjashtoheni nga platforma, ju përjashtoheni përfundimisht, pavarësisht nëse jeni një komentator, një drejtor financash, një ish apo politikan aktual”, tha Segal.
Në janar, pas sulmit të mbështetësve pro-Trump në Kapitol Hill, “Twitter” pezulloi dhe më pas fshiu llogarinë e Donald Trump. Po ashtu u fshinë edhe disa llogari të ekstremistëve që mbështetën ish-presidentin, duke përfshirë 70,000 të lidhura me lëvizjen konspirative “QAnon”.
Vendimi për të bllokuar Twitter-in e Trump, i cili kishte 88 milionë përdorues, nuk u pranua nga ndjekësit e tij, të cilët e cilësuan lëvizjen si një shenjë të fuqisë së tepruar të mediave sociale./abcnews.al