Partizani duhet ta blindojë sa më shpejt me kontratë të re Erald Çinarin. Sulmuesi anësor i Partizanit po kërkohet së fundmi nga një klub turk, që po vëzhgon shpesh në Kategorinë Superiore. Bëhet fjalë për Menemenspor, skuadrën e ligës së dytë ku aktivizohet portieri Gentian Selmani.
Çinari është në shënjestrën e klubit turk, që po bën paraqitje të mira deri më tani dhe mund të jetë një ekip kandidat për t’u ngjitur në Superligën turke. Turqit, për ta transferuar do të duhet të pahuajnë, pasi shkodrani është nën kontratë.
SHIFRAT E ÇINARIT TE PARTIZANI – Sulmuesi nuk e kishte menduar se hapësirat për të një vit më parë do të ishin aq të pakta. Vetëm pesë ndeshje si titullar në kampionat me Skënder Gegën trajner, por shënoi gjashtë gola, madje dy prej tyre në derbin që riktheu titullin kampion pas 26 vitesh.
Ndryshimi i trajnerit solli më shumë minuta për Çinarin. Shkodrani ka luajtur sivjet në 15 ndeshje, 12 prej të cilave nga minuta e parë. Golat e shënuar në kampionat janë vetëm tre, por sulmuesi ka qenë një ndër më të spikaturit. Partizani para pak kohësh ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës, ndërkohë që tani nisin edhe zërat e parë të merkatos. / abcnews.al