Përballë tyre do të jetë pikërisht ky talent i madh. Futbollistët e Kosovës duhet ta dinë se me një Arda Gyler në fushë, fitorja nuk është kurrë e sigurt edhe pse dueli final për të shkuar në Botëror do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri’ të Prishtinës.
Mediat turke njoftojnë se trajneri i Turqisë, Vincenco Montela, ka një plan special pikërisht për yllin e Realit të Madridit, me besimin për t’ia dalë mbanë në “strofkën e ujkut”. E përditshmja “Fanatik” shkruan se Gyler do të ngarkohet me rolin e organizatorit të lojës, dhe të tranzicionit nga mbrojtja në sulm.
Kjo është tepër e rëndësishme për sfidën e plej ofit, sepse mesfushori I Interit, Hakan Çalhanoglu, është në dyshim. Lajmet janë që Çalhanoglu edhe mund të jetë gati, pas dëmtimit të pësuar ndaj Rumanisë, por gjithsesi nuk besohet të jetë në formën e duhur, dhe Montela nuk ka dëshirë të rrezikojë në një sfidë kaq kyçe.
Arda Gyler ka bërë paraqitje të mëdha për kombëtaren e Turqisë, dhe ka 7 kontribute për gol në 7 ndeshjet e fundit, nga të cilat 4 gola dhe 3 asiste. “Dardanët” kanë një detyrë të vështirë përpara vetes dhe nuk cilësohen favoritë, ndërsa do të duhet të marrin masa për të përballuar edhe klasin e 21-vjeçarit të Realit./abcnews.al


