“Turqia nuk do të përkulet para kërcënimeve për Mesdheun Lindor”, Erdogan kërkon negociata

schedule14:17 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 14:17 - 7 Dhjetor, 2020

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se Turqia nuk do të përkulet ndaj kërcënimeve për mosmarrëveshjen me Greqinë dhe Qipron rreth pretendimeve detare në Mesdheun Lindor, ndërsa ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi këtë çështje.

“Në çështjen e Mesdheut Lindor, vendi ynë kurrë nuk përballet me tensionin, por me paqen, bashkëpunimin, ndershmërinë dhe zbatimin e drejtësisë. Rruga për këto shkon përmes negociatave të bazuara në respekt të ndërsjellë”, tha Erdogan.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias tha se të gjitha shtetet e BE-së ranë dakord të hënën se Turqia nuk kishte bërë asnjë ndryshim pozitiv nga politika e saj e eksplorimit në ujërat e diskutueshëm në Mesdheun lindor, gjë e konfirmuar edhe  nga diplomatët e BE-së.

Tensionet u ndezën në gusht, kur Ankaraja dërgoi një anije eksplorimi  në ujërat e pretenduara gjithashtu  edhe nga Greqia. Ankaraja dhe Athina ranë dakord të rinisnin bisedimet mbi pretendimet e tyre detare në shtator, duke i dhënë fund një ndërprerjeje 4-vjeçare.

Gjermania kishte shpresuar të ndërmjetësonte bisedimet midis Athinës dhe Ankarasë, por u zemërua kur Turqia rifilloi eksplorimet e gazit nga Qiproja në tetor pas një pauze.

Krerët e BE i kërkuan Turqisë në tetor të ndalonte eksplorimin në ujërat e kontestuara të Mesdheut lindor ose do të përballej me pasoja. Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel paralajmëroi Turqinë të mos luante “si macja me miun” duke kthyer anijet e eksplorimit në port pak para takimeve të BE-së.

Franca dhe Parlamenti Europian, i cili zyrtarisht bëri thirrje për sanksione në 26 nëntor, kanë deklaruar se është momenti për të ndëshkuar Turqinë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!