Qeveria e re turke, me udhëzim të presidentit Erdogan ka nisur një ofensivë diplomatike me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët ushtarakë. Kështu, një delegacion është dërguar në Uashington për bisedime, ndërsa vetë Erdogan në shtator do të vizitojë Gjermaninë.
Turqia ka nisur një delegacion drejt Uashingtonit në përpjekje për të riparuar marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Sipas CNN-it turk, takimi i parë mes zyrtarëve turq dhe atyre amerikanë do të zhvillohet të mërkurën. Zëvendës ministri i ri i Punëve të Jashtme, Sedat Onal mësohet se udhëheq delegacionin e Ankarasë. I njëjti burim mediatik raportoi më herët se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një sërë marrëveshjesh paraprake për çështje të caktuara dhe delegacioni është optimist për sheshimin e tensioneve dypalëshe. Ndërkohë, Ankaraja zyrtare ka ndërmarrë një tjetër aksion diplomatik, këtë herë për të rregulluar marrëdhëniet me Gjermaninë.
Dy aleatët në organizatën ushtarake të NATO-s shkëmbyen replika në lidhje me reagimin e presidentit Erdogan ndaj personave të konsideruar përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016, që çoi në burgimin e dy gazetarëve gjermanë. Dhe në fakt do të jetë vetë Erdogan, tashmë president me pushtet të plotë ekzekutiv, që do të vizitojë Berlinin më 28 dhe 29 shtator. Një zëdhënëse e qeverisë gjermane ka deklaruar se Erdogan do të takohet me homologun Frank Ëalter Steinmeier, por nuk ka konfirmuar nëse ai do të pritet në takim nga Angela Merkel. Për momentin, zyra e kancelares ka refuzuar të bëjë komente. Sipas gazetës gjermane “Bild”, Erdogan do të pritet nga Steinmeier me nderime ushtarake dhe një banket. Më herët gjatë vitit, ministrat e Jashtëm të dy vendeve deklaruan se do të bënin gjithçka për përmirësimin e marrëdhënieve./abcnews.al