Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha sot se beson se marrëveshja që lejon eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi e cila skadon në 18 mars, do të zgjatet.
Nisma (The Black Sea Grain Initiative) ka ranë dakord Rusia dhe Ukraina me ndihmën e ndërmjetësimit të OKB-së, por edhe Turqisë korrikun e kaluar, synonte të parandalonte një krizë globale ushqimore, nëpërmjet eksportit të sigurt të grurit nga tre porte ukrainase, pasi eksportet u penguan nga pushtimi rus.
Zbatimi i marrëveshjes u zgjat për 120 ditë në nëntor dhe do të rinovohet më 18 mars, nëse nuk ka kundërshtime nga asnjëra palë e përfshirë.
Megjithatë, Moska ka lënë të kuptohet tashmë se do të pranojë të zgjasë marrëveshjen vetëm nëse hiqen kufizimet që prekin eksportet e saj.
Turqia ka deklaruar më parë se është duke punuar shumë për të zgjatur zbatimin e marrëveshjes. “Në bisedimet e ndara me palën ruse dhe ukrainase, ne shohim se të dyja palët po i qasen marrëveshjes pozitivisht. Besojmë se përpjekjet për zgjatjen e tij do të përfundojnë pozitivisht” , tha Akar në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve Anatoli. “Ne jemi të mendimit se periudha e zbatimit të marrëveshjes do të zgjatet më 18 mars” , shtoi ai.
Moska ende nuk ka marrë pjesë në bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes
Ndërkohë, Ministria e Jashtme ruse njoftoi sot se përfaqësuesit e Moskës nuk kanë marrë ende pjesë në negociatat për zgjatjen e marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi.
“Nuk ka negociata për këtë çështje, veçanërisht me pjesëmarrjen e përfaqësuesve rusë” , tha përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Raundi tjetër i bisedimeve për zgjatjen e marrëveshjes do të zhvillohet nesër në Gjenevë, midis një delegacioni rus dhe zyrtares së lartë të tregtisë së OKB-së Rebecca Greenspan, tha Zakharova.