Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se me homologun e tij iranian, Ebrahim Raidis, janë pajtuar për nevojën e shmangies së hapave që do të mund të kërcënonin edhe më shumë stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Takimi i Erdoganit dhe Raisit u zhvillua tri muaj pas nisjes së luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, shkruan REL.
Turqia, që mbështet zgjidhjen me dy shtete për konfliktin e gjatë izraelito-palestinez, ka kritikuar ashpër Izraelin për ofensivën e tij në Gazë, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe ka mbështetur hapa ligjorë që Izraeli të ndiqet penalisht për gjenocid.
Për dallim nga aleatët e tij perëndimorë dhe disa shtete arabe, Turqia – që është anëtare e NATO-s – nuk e konsideron Hamasin grup terrorist. Ky grup radikal palestinez kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor, gjë që nxiti kundërpërgjigjen ushtarake të Izraelit në Gazë.
Irani udhëheq të ashtuquajturin “Bosht të rezistencës”, një koalicion ku bëjnë pjesë Hamasi dhe grupe të tjera të armatosura myslimane shiite në rajon, grupe që janë përleshur me Izraelin dhe aleatët e tij perëndimorë. Teherani po ashtu ka shprehur mbështetje për Hamasin.