Turqi, përfundon gjendja e emergjencës pas grushtit të shtetit

schedule15:15 - 19 Korrik, 2018

schedule 15:15 - 19 Korrik, 2018

Turqia ka hequr zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme, të vendosur që pas grushtit të dështuar të shtetit në Korrik të 2016-s. Megjithatë opozita dhe BE ngre shqetësimin lidhur me normat e reja shumë të ashpra, që do të vendosen nga qeveria.

Ka përfunduar gjendja e emergjencës e vendosur pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi. Por opozita denoncon se shumë shpejt do të vendosen masa legjislative shumë më të ashpëra. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan shpalli gjendjen e emergjencës me 20 Korrik të 2016-s, 5 ditë pas tentativës së dështuar për grusht shteti.

Masat e jashtëzakonshme, që zakonisht zgjasin 3 muaj, janë rinovuar për 7 herë dhe mbetën në fuqi deri mëngjesin e së enjtes. Por qeveria e Ankarasë ka premtuar të mos ndryshojë sjellje dhe se do të eleminojë deri në terroristin e fundit.

Gjendja e emergjencës ka sjellë arrestimin e 80 mijë personave dhe rreth 200 mijë të tjerë janë larguar nga puna në institucionet publike. Përveç puçistëve, përndjekjet janë zgjeruar edhe në rrethet filo-kurde dhe të opozitës, duke goditur gjykatës, mësues, aktivistë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe gazetarë.

Me një dekret të publikuar me 8 Korrik, qeveria ka urdhëruar pushimin nga puna të mbi 18 mijë funksionarëve shtetëror, përfshirë 9 mijë agjentë policië, 6 mijë ushtarakë dhe dhjetëra profesorë universitetesh.

Ndërkohë, parlamenti i Ankarasë, ku partia e Erdogan ka maxhorancën absolute bashkë me nacionalistët e MHP, mund të miratojë paketën e re të rregullave që do të mbesin në fuqi për 3 vjet. Masat forcojnë kompetencat e prefekturave dhe policisë, ndalojnë protestat dhe tubimet në zonat publike pas perëndimit të diellit, me përjashtim të autorizimit të veçantë.

Autoritetet lokale do të jenë në gjendje të kufizojnë lëvizjet e njerëzve dhe kushdo që dyshohet për ndonjë gjë mund të arrestohet pa akuza dhe të burgoset për 48 orë ose edhe për 4 ditë në rast të shkeljeve të shumëfishta.

Ndërkohë, Bashkimi Europian e konsideron heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi si “një hap në drejtimin e duhur”, por gjykon të pamjaftueshme dhënien e kompetencave të jashtëzakonshme për autoritetet dhe ruajtjen e disa elementeve kufizuese të lirive.

“Ne presim që Turqia të heqë të gjitha masat që vazhdojnë të kenë një ndikim negativ në sundimin e ligjit; pavarësia e gjyqësorit dhe liritë themelore janë zemra e çdo shteti demokratik”, tha zëdhënësja e kryediplomates evropiane Federica Mogherini në një deklaratë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!