Turqi, anulohet burgimi i përjetshëm për 3 gazetarë

schedule22:15 - 5 Korrik, 2019

schedule 22:15 - 5 Korrik, 2019

Tre gazetarë në Turqi kanë shpëtuar të premten nga burgimi me dënim të përjetshëm që u ishte dhënë në lidhje me grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016. Gjykata e Lartë i ka shfajësuar ata nga disa akuza dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim në një shkallë më të ulët.

Gjykata e Lartë turke ka përmbysur dënimet me burgim të përjetshëm ndaj tre gazetarëve, që u dënuan për lidhje me rrjetin e klerikut Fetullah Gylen, i akuzuar si organizator i grushtit të shtetit kundër presidentit Erdogan. Gjykata turke ka shfajësuar gazetarët Ahmet Altan dhe Nazli Iliçak nga akuza për shkelje të Kushtetutës, por jo nga ajo e ndihmës së dhënë për rrjetin e Gylen, në orkestrimin e trazirave të vitit 2016 për të rrëzuar Erdogan.

Ndërkohë, e njëjta instancë gjyqësore ka shfajësuar nga të dyja akuzat gazetarin tjetër Mehmet Altan për shkak të mungesës së provave bindëse, raporton agjencia e lajmeve “Anadolu”. Tashmë pritet që një gjykatë e nivelit më të ulët të rishqyrtojë çështjen ndaj të tre gazetarëve pas këtij vendimi.

Dy vëllezërit Altan dhe kolegu i tyre Nazli Iliçak u burgosën menjëherë pas grushtit të shtetit, por Mehmet Altan u lirua vitin e kaluar në pritje të apelit në Gjykatën e Lartë. Rasti i tyre bëri që ndaj regjimit të Erdogan të bëheshin një seri kritikash nga grupet e të drejtave të njeriut, por edhe nga aleatët perëndimorë të Turqisë. Mbi 77 mijë persona u burgosën në ofensivën që nisi pas grushtit të shtetit, pjesa dërrmuese e të cilëve janë në pritje të gjykimit. Ndërkohë, arrestimet vazhdojnë normalisht, gjë që sipas kritikëve tregon ekzistencën e regjimit autokrat në Turqi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!