“Turpërohet” Leverkusen/ Surpriza e madhe në gjysmëfinalen Kupës së Gjermanisë

schedule12:37 - 2 Prill, 2025

schedule 12:37 - 2 Prill, 2025

Në Gjermani thonë se ky konkurrim ka rregullat e veta. As edhe gjigandët e Bundesligës nuk duhet të guxojnë të nënvleftësojnë sfidat e Kupës gjermane, asaj që me të drejtë ka fituar epitetin “vrasësja e gjigandëve”.

Gjithsesi, këtë herë ka ndodhur një e papritur që ndoshta tejkalon gjithçka në histori. Për herë të parë, një skuadër e kategorisë së tretë arrin finalen e madhe.

Arminia e Bilefeldit, ekipi ku dikur luante me numrin 10 shqiptari Fatmir Vata, mundi dhe eliminoi në gjysmëfinale kampionen në fuqi të Gjermanisë, Leverkusenin.

Theksojmë se “aspirinat” ishin edhe fitues në fuqi të Kupës. Rezultati në stadiumin “Bilefelder Alm”, njohur për arsye tregtare si “Shyko Arena”, ishte 2-1 dhe vendasit e merituan.

Mbi 27 000 tifozë ishin dëshmitarë të një ngjarjeje për të gjitha kohët. Leverkusen, që luajti me formacionin kryesor, kaloi në epërsi në 17’ kur shënoi Xhonatan Tah.

Marius Vërl barazoi shpejt për Bilefeldit, që në 20’, dhe fati I ndeshjes u vendos gjithashtu aspak vonë. Në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë Maksimilian Groser shënoi rrjetën e dytë.

Nuk bënë punë përpjekjet e kampionëve pas pushimit, me Granit Xhakën që udhëhiqte mesfushën. Në finale, Arminia Bilefeld do të luajë ose me Shtutgartin, ose me Lajpcigun, gjysmëfinale që do të luhet sonte.

Ka ndodhur vetëm një herë në historinë e futbollit gjerman që një ekip poshtë Bundesligës të fitojë Kupën. Këtë e bëri skuadra e kategorisë së dytë, Hanover në 1992, që pronësoi trofeun pasi mundi me penallti Mynshengladbahun. Ndoshta, këtë herë fitues mund të jetë një emër i kategorisë së tretë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!