Askush nuk e mendonte se do të arrihej deri këtu. Dakord, në futboll ndodh gjithçka, por që Bajerni të pësonte katastrofë ndaj Fejënordit, kjo as nuk llogaritej. Gjithsesi, fakti është që skuadra e madhe bavareze u shkatërrua 3-0 në Holandë dhe dyshime të mëdha u krijuan nëse do të jetë e aftë për trofe.
Santiago Gimenez shënoi për vendasit në minutat 21’ dhe të nëntën shtesë të pjesës së parë me penallti, ndërsa Ajase Ueda vulosi shifrat në të 89-ën.
Nuk pati asnjë vlerë, madje duket ironike, që kryesuesit e Bundesligës mbajtën topin 80 për qind, që bënë 30 gjuajtje ndaj 8 të Fejënordit dhe që kornet ishin 13-1.
Dorëzimi ndodhi përballë një ekipi në krizë të plotë, që është 10 pikë larg kreut në ligën holandeze.
Tabloidja “Bild” I dha trajnerit Kompani notën 6, ashtu si edhe dy lojtarëve në fushë, që në shkollë përkthehet sikur të marrësh 2-sh, ndërsa komentoi: Turp bavarez me pasoja të rënda! Kualifikimi direkt I vështirë, priten rivalë të fortë!
Revista “Kiker” titullon se Bajerni u trondit në Ligën e Kampionëve, se maja evropiane është larg dhe se humbja tregoi se ekipi ka problem me cilësinë!
Njëri nga yjet kryesorë të ekipit, Xhoshua Kimih, pranoi pas ndeshjes se bavarezët janë në një situatë shumë, shumë të vështirë, se shpërdorohen shumë raste, dhe se bëhen gabime në mbrojtje.
Për kapitenin Manuel Nojer, faji I disfatës në Holandë ishte mungesa e vendosmërisë dhe e shpirtit luftarak, ndërsa Fejënordi dha 100 për qind në fushë duke mos e lejuar Bajernin që të ishte I rrezikshëm.
Gjigandi bavarez është në vendin e 15-të në renditje, në të vërtetë vetëm një pikë larg kualifikimit direkt për në të tetat e finaleve dhe me një ndeshje të lehtë në letër në javën e fundit.
Në 29 janar në “Alianc Arenë” vjen Sllovani modest I Bratislavës, por bavarezët varen nga rezultatet e rivalëve.