Turneu rajonal i moshave, Mustedanagic: Këto janë themelet e së ardhmes së futbollit shqiptar!

schedule16:44 - 15 Janar, 2021

schedule 16:44 - 15 Janar, 2021

Kryeskauti i FSHF-së, Dzemal Mustedanagic, ka qenë sot i pranishëm në turneun rajonal të ekipeve për moshat U-13, U-14 dhe U-15. Në këtë turne marrin pjesë ekipe nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Korça, Elbasani, Lezha dhe Gjirokastra.

Për të ndjekur nga afër takimet, përveç boshnjakut kanë qenë prezent të gjithë trajnerët dhe stafet teknike të sektorit të ekipeve kombëtare. Në një intervistë për “fshf.tv”, Mustedanagic jep përshtypjet e tij për punën me talentet e rinj si dhe flet për të ardhmen e skuadrave kombëtare të moshave.

“E kam thënë gjithmonë dhe duhet ta them përsëri, pasi është e rëndësishme, se në Shqipëri ka talente. Kjo sigurisht që është e rëndësishme për të ardhmen e futbollit shqiptar. Në këtë turne të ekipeve përfaqësueseve rajonale hidhen themelet e ekipeve kombëtare të ardhshme dhe në këto mosha duhet të ketë një seleksionim shumë të përpiktë.

Këtu ka shumë elementë cilësorë që nëse punojnë mirë, në një të nesërme mund të përfaqësojnë denjësisht futbollin shqiptar nesër kudo nëpër Europë. Për ne është shumë e rëndësishme që t’i regjistrojmë në sistemet tona këto lojtarë, për t’i zhvilluar këta lojtarë, t’i ndihmojmë për t’u rritur gjithmonë e më shumë dhe është e sigurt që konkurrenca do të rritet. Të gjithë këta djem duhet të punojnë çdo ditë në maksimum, dhe ne duhet t’i qëndrojmë afër në të gjitha drejtimet, me perspektivën që një ditë të shkojnë te kombëtarja A”, përfundon Mustedanagiç. /abcnews.al