Turku Selami Simsek kërkon azil politik në Shqipëri: Në Turqi me rrezikohet jeta

schedule17:00 - 24 Janar, 2020

schedule 17:00 - 24 Janar, 2020

Turku Selami Shimshek i paraprin dëbimit dhe bën kërkesë për azil në Shqipëri.

Kërkesa është bërë nga qelia e  burgut 302, ku Shimshek mbahet i izoluar që pas arrestimit të tij më 6 gusht 2019, pas i tentoi të kalonte në aeroportin e Rinasit me vizë kanadeze të falsifikuar.

ABC News ka siguruar kërkesën e Shimshek për azil, të shkruar me shkrim dore dhe në dy gjuhë, turqisht dhe shqip.

Në kërkesën e dorëzuar në Drejtorinë e Kufirit dhe Emigracionit, Selami Shimshek argumenton se po përndiqet nga shteti turk, pasi është mbështetës i Lëvizjes “Gylen”, ndaj së cilës Presidenti Erdogan ka nisur një fushatë të egër përndjekjeje.

Do të jetë Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit ajo që do të vendos për fatin e Shimshek. Burimet i kanë vënë në dispozicion ABC News edhe kuponin postar që vërteton se shkresa është dorëzuar zyrtarisht pranë autoriteteve përgjegjëse.

Ndërkohë që mësuesi Harun Çelik, u dëbua në mënyrë ekstra ligjore nga autoritetet shqiptare drejt Turqisë, Shimshek ka vendosur t’i paraprijë një veprimi të tillë.

Dëbimi i Harun Çelik shkaktoi debate të ashpra, për mënyrën se si u krye nga autoritetet tona.

Celik u nxor nga Shqipëria përmes një urdhri kontradiktor duke mos i dhënë praktikisht të drejtë apelimi.

Selami Shimshek do të përballet me gjykatën penale të Tiranës me 27 janar, në seancën, ku prokuroria do të japë pretencën për të, për akuzën falsifikim i vizave./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!