Shifrat e këtij viti të turistëve që vizitojnë Shqipërinë janë tejet pozitive. Vetëm në muajt e parë, raportohet për një rritje prej 38 përqind të numrit të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë. Zëvendës ministrja e Turizmit, Vilma Bello thotë se deri në fund të vitit mund të arrijmë 14 milionë turistë.
Në një intervistë për “Money Report”, ajo deklaroi se turizmi është kthyer në një “pasaportë” për vendin dhe se të ardhurat nga ky sektor janë më të konsoliduara.
“Duke pasur parasysh rritjen e shifrave vit pas viti, na bën më të vëmendshëm që ta fillojmë punën për përgatitjen edhe më përpara se të një viti. Ka një vëmendje të shtuar se tashmë që pjesa që lidhet me aktivitetet tona të mëdha si ministri, qoftë kjo prania nëpër panaire, prezenca e Shqipërisë në panaire apo organizimi i forumeve të rëndësishme tashmë jemi tamam në punën për të mirë menaxhuar këtë vit, që deri më tani ka rritje të numrit të turistëve 38 për qind nga janari deri në prill. Kjo shifër mund të na çojë deri në fund të vitit në 14 milionë. Turizmi është një pasaportë shumë e mirë shqiptare por edhe një sektor prioritar që zhvillon ekonominë, sepse të dhënat që vijnë nga Banka Botërore, FMN dhe Banka e Shqipërisë janë të ardhura më të konsoliduara dhe kjo rrit më shumë akoma përgjegjësinë se si ta menaxhojmë. Nuk janë vetëm shifrat, është edhe cilësia dhe shërbimi ajo që do të kthejë turistët.“, tha Bello.
Duke u ndalur kapacitetet, ajo tha se janë shtuar shumë struktura të reja akomoduese.
“Në territor javë për javë ose çdo muaj ka struktura të reja akomoduese që hapen që kanë jo vetëm shtretër më shumë, por edhe të një standardi dhe cilësie shumë të mirë. Këtë vit do të ketë jo vetëm vëmendje nga sektori privat, por edhe kemi njësi akomoduese si vilat, apartamentet dhe shtëpitë e banimit që do të funksionojnë edhe sivjet dhe do të ndikojë në ekonomitë familjare.“, shtoi ajo.
Sa i përket synimit për të arritur turizmin elitar, Bello shtoi:
“Kjo është një sfidë e rëndësishme dhe ka shtim të mekanizmave ndihmues të qeverisë dhe ministrisë të mjedisit përmes një operatori shtesë në bashkitë bregdetare që shtojnë ndjeshëm numrin e flukseve të turistëve. Sivjet janë bërë 7 bashki që përmes operatorit shtesë mund të kenë një shërbim të shtuar të menaxhimit të territorit sa i përket pastrimit. Kjo lidhet me sigurinë, e cila është një nga elementët primar, sepse një turist do të jetë i sigurt dhe Shqipëria këtë kriter e ka përmbushur dhe duhet ta ruajë.”, theksoi zëvendës ministrja e turizmit./abcnews.al