Turizmi, ndarja në 6 zona/ Duro: Synojmë që turisti të qëndrojë më gjatë. Eksperti: Të hartohet një master plan

schedule21:00 - 18 Tetor, 2024

schedule 21:00 - 18 Tetor, 2024

Draft strategjia e turizmit 2024-2030 e ndan vendin në të paktën 6 klastera turistikë duke grupuar disa rajone sipas karakteristikave të përbashkëta, duke synuar që në vijim të zhvillohen një sërë produktesh, aktivitetesh, eksperiencash, atraksionesh dhe infrastrukturash turistike të krahasueshme ose të ngjashme.

Herida Duro, drejtoreshë e zhvillimit të turizmit në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, tha në emisionin “Sheshi i Dollarit” se kjo ndarje është një risi inovative pasi i “paketon” zonat në karakteristikat që mbartin. Sipas saj, me këtë strategji, synojnë që ta mbajnë turistin sa më gjatë në vend.

“Risi tërësisht innovative sepse i paketon në një farë mënyre zonat e reja turistike për karakteristikat që mbartin. Zonat e Adriatikut është tërësisht e ndryshme nga Joni apo zona qendrore e Shqipërisë. Por dhe klasteri jugor i brendshëm që prek zonën e Korçës. Do të dalin në një paketë të mirëmenaxhuar turistike. Mënyra se si do të zhvillojnë produktin e tyre turistik…. Flasim për një destinacion të menaxhuar, DMO-të e famshme. Kemi kërkuar t‘i kishim por që nuk mund ta amendonim në një ligj pa i përfshirë si një koncept i ri në një strategji dhe këta na shërbyen të riorganizonim në një qasje të re modelin e ri të menaxhimit të destinacioneve. Duam që turisti që vjen në Gjirokastër, të ketë mundësitë të shkojë edhe përtej kësaj zone, ta mbajmë sa më gjatë, dhe të jemi një gur magnetik i zonës që të provojnë këtë diapazon kaq kolorativ.”, tha drejtoresha.

Eksperti i ekonomisë, Lavdërim Hoxha deklaroi se pritej prej vitesh një propozim i tillë. Sipas tij, modeli i krijuar për Shqipërinë është i ndërtuar në bazë të karakteristikave të vendit, dhe jo duke u bazuar nga modelet të ndërtuara nga vendet evropiane për menaxhimin e turizmit.

Ndërkohë, Zak Topuzi, kryetar i shoqatës së hoteleri turizmit thotë se pas kësaj strategjie të ndarjes së vendit në zona turistike, duhet të ndërtohet një master plan.

“Një turist s’mund të ndajë dot zonat dhe nuk e kupton dot se ndodhet te zona veriore apo një tjetër, prandaj është i rëndësishëm koordinimi i të gjithë aktorëve. Pushteti vendor ka rëndësi që nga menaxhimi i mbeturinave në rrugë, do të jepte efekt negative. Kështu që kjo është pikë e rëndësishme dhe mendoj se do vëmendje, duhet të lidhet me fonde, me specialist. Pra ka ardhur koha që Shqipëria duhet të kuptojë se një nga zyrat më të rëndësishme duhet të jetë turizmi. Pas kësaj strategjie duhet bërë një master plan për të ndarë zonat. Nuk duhet të mbetemi në skema“, shtoi Topuzi./abcnews.al