“Turizmi ka rritur besueshmërinë tek investitorët e huaj”, Ozuni: Problematikat që duhet të merren parasysh në kuadrin e ri ligjor

schedule14:40 - 26 Tetor, 2023

schedule 14:40 - 26 Tetor, 2023

Klima e të bërit biznes në Shqipëri është përmirësuar gjatë 2023. Në një anketë të shoqatës së Investitorëve të huaj rezulton se klima e përgjithshme e të bërit biznes është vlerësuar me 46 pikë nga 40 që ishte një vit më parë. Ndërkohë që pritshmëritë janë edhe më të mira duke marrë 52 pikë nga 100 pikë që është totali.

Nga sondazhi vërehet se në përmirësim kanë qenë pothuajse të gjithë treguesit. Eksperti për çështjet ekonomike, Ferjolt Ozuni, në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, theksoi se ndryshimi i perceptimit të të bërit biznes lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e perceptimit për Shqipërinë.

“Do të ishte e çuditshme nëse nuk do të ishte me rritje sepse ashtu siç e kemi parë në vitet e fundit, ka pasur goxha ndryshime dhe përmirësime sa i përket mënryës së perceptimit të institucioneve qeveritare në përthithjen e investitorëve të huaj, duke krijuar dhe formuar strategji dhe politika të ndryshme që ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si këta investitorë të huaj potencial e shikojnë tregun shqiptar. Shqipëria vërtetë ka rritje por ne ishim shumë poshtë, jemi ende shumë poshtë potencialit që vendi ynë ka dhe po të shikojmë rritjet më të mëdha janë kryer tek pikat që kanë të bëjnë me rritjen e perceptimit të investitorëve të huaj potencial në politikbërjen shqiptare. Ky përmirësim i këtyre treguesve nuk duhet lënë pas dore, dhe në vitet e ardhshme do të vijojë me të njëjtën rritje, por po ta shikojmë shkon në linjë të drejtpërdrejtë dhe me rritjen e perceptimit të përgjithshëm për Shqipërinë.”, u shpreh ai.

Një faktor që sipas tij ka ndikuar më së shumti është turizmi dhe fakti që të huajt e shohin Shqipërinë si një vend të sigurt. Siç u shpreh eksperti gjatë intervistës, shumë turistë nuk vijnë në vend vetëm për qëllime turistike, por për të gjetur mënyra dhe mundësi për të bërë biznes në vendin tonë.

“Kur reklamohet turizmi, reklamohet edhe siguria e individit. Shpeshherë Shqipëria është gjykuar si një vend i rrezikshëm dhe sivjet ky mit ka rënë poshtë sepse nga të gjithë është reklamuar si një vend i sigurt. Kjo siguri reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek ata persona që vijnë ndoshta për herë të parë në Shqipëri për qëllime turistike por e kanë mendjen të shikojnë mundësi për të krijuar edhe bizneset e tyre. Kjo është ajo që në mënyrë të tërthortë sjell turizmi dhe vizitorët e huaj. Kur ne trajtojmë mirë çështjen turistike, në mënyrë të drejtpërdrejtë kemi trajtuar mirë edhe investitorët potencialë.“, shtoi eksperti.

Më tej, ai tha se fakti që shumë brande ndërkombëtare kanë ardhur në vendin tonë dhe shumë të tjerë kanë shprehur interes, rrit automatikisht besueshmërinë tek investitorët e tjerë potencialë të huaj.

“Ne përpara si konceptonim të kishim këto brande në vendin tone dhe tashëm po shtohen çdo ditë e më shumë dhe të tjerë që kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e tregut shqiptar. Këto brande duke qenë pjesë e një rrjeti të madh hotelier në të gjithë botën, automatikisht shtojnë besueshmërinë tek investitorët e tjerë potencialë në vendin tonë dhe nga këto brande të mëdha që janë publike, do të vijnë edhe investitorë të tjerë që nuk janë kaq publikë por që ndoshta punojnë apo operojnë në industri të rënda që nuk janë shumë të dukshme, që operojnë në prodhimin e pjesëve automobilistike, të cilët nuk janë aq të dukshëm por që vazhdojnë dhe rriten disa ditës. Kemi 4-5 vite që kompani të mëdha janë orientuar linjat e tyre të prodhimit në vendin tonë.”, tha më tej ai.

Duke u ndalur tek kuadri i ri ligjor për investitorët e huaj, Ozuni përmendi edhe disa ndryshime që duhet të merren parasysh.

“Një nga problematikat më të mëdha që ne kemi është ajo e mosgarantimit të pronës private sa i përket investitorëve të huaj. Ata vijnë me një perceptim që nuk është fort i gabuar, por që kjo duhet garantuar pasi nuk garantohet më nga ministria e Financave. Në raste të shteteve të tjera që kanë pasur të njëjtën problematikë, i është garantuar me garanci financiare investimi i investitorit të huaj. Pra, nëse investitori ka ardhur për të investuar, atëherë institucionet mund të garantojnë investimin e këtij investitori që nëse nuk shkon ashtu sic duhet sa i përket pronës private, garantor në këtë mes është shteti. Një gjë e kësaj natyre do t’i shkonte shumë për shtat që është i dyzuar për të zgjedhur Shqipërinë si vend investimi.

Garantimi i kontrollit fiskal dhe financiar. Kemi gjithmonë ankesa nga investitorë të huaj por jo vetëm që institucionet tatimore shpeshherë janë të pavëmendshëm në mënyrën se si i kryejnë këto kontrolle, me apo pa dashje abuzive, kundrejt investitorëve të huaj për të vënë pengesa nën rrota në momentin që ata kanë filluar të investojnë. Strategjitë standarte të përthithjes së investimeve duke i hequr një farë taksash apo duke zbritur disa taksa deri në momentin që këto investime fillojnë të jenë në vendin tonë. Është diçka e kësaj natyre, por nëse kemi target investitorët e huaj, këto lehtësi nuk mund të bëhen për investitorët të vegjël. Nëse duam të përthithim investitorë, duhet të synojmë lart. Kur këto taksa i heqim për një investim 3 milionë euro, nuk është fort e udhës sepse atë vend mund ta zërë një që gjen me 500 milionë euro. Duhet të bëhet një farë para seleksionimi i këtyre investitorëve potencialë.”, u shpreh eksperti./abcnews.al