Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në Lezhë është vizituar nga rreth 15 mijë turistë vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, duke mbetur një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit historik dhe kulturor në vend.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi, thotë se pjesa më e madhe e vizitorëve janë shqiptarë nga Kosova, por vihet re edhe një rritje e numrit të turistëve nga SHBA-ja dhe Anglia.
“Kemi pasur rritje nga SHBA-ja, Anglia, por edhe nga vendet e tjera… Gjatë muajit qershor, që po shkon drejt mbylljes, është shënuar një rritje e konsiderueshme e turistëve spanjollë.”
Zefi thotë se turistët e huaj shfaqin interes të veçantë për historinë e Shqipërisë dhe figurën e Heroit Kombëtar. Sipas tij, veçanërisht vizitorët gjermanë vijnë të mirëinformuar, pasi kanë lexuar më parë për vendin tonë.
Ata mahniten kur mësojnë për rolin që Gjergj Kastriot Skënderbeu ka luajtur në mbrojtjen e Europës Perëndimore nga pushtimi osman.
“Ata pyesin dhe janë të mahnitur për rolin e Gjergj Kastriot Skënderbeut… ndërsa nuk mungojnë edhe pyetjet që lidhen me aktualitetin dhe zhvillimet e sotme në Shqipëri.”
Një interes të veçantë, sipas Zefit, tregojnë edhe vizitorët polakë, të cilët nuk vijnë vetëm si turistë.
“Turistët polakë kanë blerë apartamente, nuk janë vetëm turistë të përkohshëm.”
Përveç Memorialit të Skënderbeut, turistët shprehin dëshirën për të vizituar edhe muzetë dhe objektet e tjera të trashëgimisë kulturore në Lezhë./abcnews.al



