Turistët parapëlqejnë të qëndrojnë në shtëpi me qira e të gatuajnë vetë

schedule23:34 - 1 Korrik, 2023

schedule 23:34 - 1 Korrik, 2023

Vizitorët e huaj po zgjedhin gjithnjë e më shumë Airbnb-të për të qëndruar, ku parapëlqejnë edhe të gatuajnë vetë. Produktet vendase i kërkojnë më shumë në tregjet e fruta-perimeve, siç është “Pazari i Ri”.

“Po shkojmë në pazar, kemi tre ditë këtu dhe kemi mësuar disa vende si supermarkete apo tregjet e fruta-perimeve, njëri është këtu afër që quhet ‘Pazari i Ri’, nuk ka shumë fruta e perime si ato në Francë.

U habitëm kur pamë qilima, punime tradicionale dhe gjëra të përdorura etj. Por mund të mbarojmë punë aty për çdo gjë. Është mirë të kesh edhe mish, edhe peshk afër.

Çmimet janë pak më të ulëta se në Francë, si produktet e mishit dhe disa lloje frutash. Mendojmë se kemi bërë një zgjedhje të mirë, pasi kursejmë edhe në këtë mënyrë”, – thotë Sandra Sascha, 45 vjeçe nga Franca.

Beatel dhe Dieter Korner, 74 dhe 78 vjeç nga Gjermania, thonë se kudo ku kanë shkuar vitet e fundit kanë zgjedhur të marrin një Airbnb.

“Supermarketet në Tiranë nuk kanë një larmi të madhe produktesh, por plotësojnë nevojat tona. Ne zgjedhim të gatuajmë, por edhe të hamë jashtë. Nëse kemi gjetur një restorant të mirë me ushqime tradicionale, zgjedhim të hamë atje.

Po udhëtojmë me një makinë me qira, jemi këtu për më shumë se 4 javë dhe do të qëndrojmë edhe një javë tjetër. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje janë çmimet e produkteve të qumështit, të cilat janë më të shtrenjta se në Gjermani, por pjesa tjetër është shumë në rregull.

Për ushqim në ditë shpenzojmë rreth 30-40 euro për të dy, nëse kalojmë këtë shumë, përpiqemi të kursejmë të nesërmen” – tha Korner.

Pronarët e Airbnb në zonën e Pazarit të Ri thonë se nga maji deri në shtator janë shtuar shumë Airbnb në Tiranë. Muajt e tjerë ka më pak lëvizje. Kryesisht i marrin vendasit, sepse me çmimet jashtë sezonit ia vlen një apartament me më shumë se një dhomë hoteli.

“Në sezon varion nga 40-60 euro / nata, duke u përditësuar me konkurrentët në zonën time. Mundohem ta lë çmimin pak më të ulët se të tjerët.

Kryesisht qëndrojnë nga 1-4 ditë, sepse të huajt e kanë Tiranën si ndalesë momentale nga aeroporti, para se të shkojnë në jug, ose kur kthehen nga plazhi. Jashtë sezonit qëndrojnë me javë, deri në një muaj” – thotë Vivian Mecollari, pronare e një Airbnb në Tiranë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se pjesa më e madhe e turistëve preferojnë që të qëndrojnë jashtë strukturave akomoduese të regjistruara. P.sh., në prill hynë gjithsej në vend rreth 614 mijë shtetas të huaj, ndërsa gjithsej u shënuan rreth 68 mijë net-qëndrime në strukturat akomoduese.

Nga të dhënat rezulton se vetëm rreth 11% e turistëve rrinë në hotele të paktën një natë. Një pjesë e të huajve janë dhe shqiptarë që kanë pasaporta të huaja, ndërsa shumë të huaj zgjedhin të marrin shtëpi me qira, që nuk janë të regjistruara.

Fluksi i lartë i turistëve gjithsesi ka ndikuar pozitivisht dhe aktivitetin e hoteleve. Në prill, për strukturat akomoduese, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 55,6%, në krahasim me Prill 2022.

Rritja më e lartë ka qenë tek të huajt me 85.6% dhe e rezidentëve me 26,5%. Norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 13,5%, kundrejt 10,2% që ishte në muajin Prill 2022.

Restorantet, ushqimi tradicional dhe zgarat, më të preferuarat

Për një vakt në një restorant në vendin tonë shpenzohen 7-20 euro dhe turistët zgjedhin të qëndrojnë në limitet e tyre.

“Turistët që vijnë në Shqipëri janë të kategorisë B dhe C që nuk shpenzojnë shumë, janë për shifra që ka lëvizje, por jo xhiro, pasi vijnë ose me paketa “all inclusive” ose për një ditë dhe me konsum minimal.

Vizitorët e huaj në vend parapëlqejnë ushqimin tradicional por edhe atë të zgarës, ku më së shumti bazohen në TripAdvasior që rendit ‘Tymin’ në vendin e tretë” – shprehet Enri Jahaj, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Tim Richet, 39 vjeç, turist nga Gjermania, thotë se është hera e dytë në Shqipëri dhe nuk ka në plan të shpenzojë shumë në restorante.

“Kam rezervuar një Airbnb në Tiranë për 6 ditë. Aty do të gatuaj darkë dhe mëngjes. Drekën mund ta ha jashtë, pasi kam në plan të bëj vetëm udhëtime ditore, në Jug dhe në Veri. Kam planifikuar të shpenzoj deri në 30 euro në ditë në ushqim dhe pije”.

Në Durrës, “kampion” i turizmit për vitin 2022, frekuentimi i vizitorëve të huaj në lokale është rritur me 20-25% nga viti i kaluar në muajin maj, gjë që plotëson, në njëfarë mënyre, boshllëqet që ka lënë emigracioni i të rinjve shqiptarë.

Ata kanë sjellë rënie 30-40% në klubet e vendit, thotë Andi Malkaj, menaxher në “Illirian Garden” në Durrës.

Turistët nuk e nxisin konsumin e birrës vendase

Stefan Pinguli, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës pohon se prodhimi i birrës vendase ka mbetur në vend.

Turistët zgjedhin më shumë birrën e huaj, kurse restorantet dhe resortet porosisin më shumë birrën Kriko, e cila është më e lirë dhe vendoset më shumë në paketat që ofrojnë.

Rajoni frekuenton dyqanet e qendrat tregtare

Fqinjët shfaqin një interes të madh dhe zgjedhin të vizitojnë dyqanet e qendrat tregtare në vend, duke rritur konsumin e lodrave, produkteve sezonale, aksesorëve dhe shumë produkte të tjera,

Sokol Kondi, nga grupi BALFIN, konfirmon për “Monitor” se konsumi në kompaninë “Jumbo” është rritur me 11.4% nga turistët.

“Nëse e krahasojmë me një vit më parë, numri i turistëve në Shqipëri është rritur, dhe në bazë të rezultateve të shitjeve, ‘Jumbo’ ka përjetuar një rritje prej 11.4%.”

“Në rrethet si Vlora dhe Durrësi, ku numri i turistëve është i lartë gjatë verës, dyqanet frekuentohen nga turistë nga vendet fqinje (rreth 40%) dhe turistë të tjerë nga Europa.”- nënvizoi Kondi./Monitor