Turi i kryeministrit në diasporë/ Etmond Guri: Nismat e Ramës janë pozitive dhe të mirëpritura

schedule17:31 - 4 Nëntor, 2024

schedule 17:31 - 4 Nëntor, 2024

GREQI- Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Greqi mbetet prioritet kryesor i qeverisë, e cila ka angazhuar 50 mësues të rinj gjuhës shqipe.

Gjatë takimit që pati të dielën në Selanik, kryeministri Edi Rama e nisi takimin e tij me shqiptarët në Selanik duke paraqitur 8 nga 50 mësuesit e gjuhës shqipe, të cilët do të japin mësim në Selanik.

Në një bisedë me emisionin “Ballkan Update” të gazetares Linda Karadaku, Etmond Guri, nga komuniteti shqiptar në Greqi e cilësoi pozitive interesin e shtuar të kryeministrit Edi Rama, për shqiptarët, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Ai theksoi se Rama adresoi në takim tema dhe çështje konkrete, të cilat shqiptarët nuk i kishin dëgjuar më parë, pavarësisht se kanë vite që jetojnë në shtetin fqinj të Greqisë.

“Është hera e dytë që brenda gjashtë muajsh, Greqinë e viziton kryeministri Edi Rama. Ai ka përcjellë disa mesazhe të padëgjuara më parë për ne shqiptarët në Greqi, Shikojmë një interes dhe vëmendje të shtuar nga kryeministri i Shqipërisë. Ambasada jonë duhet të kthehet më pranë nesh. Ministria jonë e Jashtme dhe ministritë e tjera që prekin jetën e qytetarëve në Greqi, nuk i kemi ndjerë”, tha ai.

Ai theksoi se premtimi për më shumë vëmendja ndaj gjuhës shqipe është mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, pasi kjo do të kontribuojë në ruajtjen e identiteti tonë kombëtar.

“Këto nisma dhe këto premtime që po realizohen nga qeveria e Ramës, për ne janë të mirëpritura, na befasojnë për mirë, i mbështesim. Janë shumë pozitive, sepse në fund të fundit është e pakonceptueshme që kemi mësues që u ofrojnë falas mësim nxënëseve shqiptarë. Mësimi i gjuhës shqipe te fëmijët, do ishte shumë e madhe dhe shumë e dobishme për ruajtjen e identitetit tonë”, tha ai.

Sa i takon të drejtës së votës për Diasporë, Guri tha se ky është hap i madh dhe ka shumë rëndësi për të gjithë pasi do ushtrojnë të drejtën për të zgjedhur drejtuesit në Shqipëri.

“Është shumë me rëndësi. Kemi vënë re që politika shqiptare pasi e zvarriti e zvarriti, më në fund arriti në përfundim për të garantuar të drejtën e votës. Urojmë të realizohet dhe të mos ketë pengesa”, shtoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!