Turi çiklistik, kamera e helikopterit nxjerr zbuluar kultivimin e marijuanës

schedule18:34 - 4 Shtator, 2019

schedule 18:34 - 4 Shtator, 2019

Një e papritur ndodhi gjatë Rrethit Çiklistik të Spanjës. Kamera e helikopterit që po filmonte garën, zbuloi bimë të marijuanës të mbjella në tarracat e pallateve.

Mund të ndodhë edhe një disiplinë të tillë dhe krejt pa dashje. Rrethi Çiklistik i Spanjës, apo Vuelta, mund të njihet për lidhjet e saj me dopingun ashtu si shumë gara të tjera, në sporte të tjerë, por jo në mënyrën sesi bëri bujë tani.

Ndërsa kamerat e helikopterëve filmonin itinerarin e etapës, për transmetim direkt, por edhe për analiza të hollësishme në emisione të mëpasshme, papritur njëra prej tyre zbuloi diçka tjetër.

Në tarracat e ndërtesave të qytetit Igualada u filmuan plantacione të vegjël të marijuanës. Policia menjëherë nxorri lajmërim në faqen e saj në Twitter, dhe ndërmori aksionin për sekuestrimin e 40 bimëve që u gjetën në tarraca.

Deri tani nuk ka të arrestuar, por hetimi vazhdon. Vuelta e Spanjës vazhdoi normalisht, ndërsa në krye ndodhet çiklisti slloven, Primozh Rogliç, që fitoi edhe etapën individuale me kronometër.

Gara spanjolle e çiklizmit, e treta më e madhe në botë pas Turit të Francës e Xhiros së Italisë, përfundon në 15 shtator në Madrid, pas 21 etapave./ABC News Albania 24/7