Tunizia ndjek shembullin e Francës

schedule08:22 - 11 Dhjetor, 2018

schedule 08:22 - 11 Dhjetor, 2018

Jehona e protestave të “Jelekëve të verdhë” në Paris jo vetëm ka tejkaluar kufijtë e Francës, por ka shërbyer si model edhe për vende të tjera. Në Tunizi, vend i njohur për ndikimin francez, është krijuar një lëvizje analoge që ndryshon vetëm nga ngjyra.

Modeli francez i protestave, që prej 4 javësh ka futur në kaos Parisin dhe qytete të tjera, i ka kaluar kufijtë. Kështu, në Tunizi ka marrë jetë lëvizja simotër e “Jelekëve të verdhë”, “Jelekët e kuq”.

Grupimi është prezantuar përmes rrjetit social Facebook, ku merr përsipër të luftojë për dinjitetin e të rinjve, të drejtën për një jetë më të mirë dhe për të denoncuar aferat e klasës politike dhe hendekun e thellë mes saj dhe qytetarëve tunizianë.

Në profilin e saj, lëvizja njofton se për momentin është vetëm virtuale dhe njëkohësisht paqësore, por shumë shpejt do të ngrejë pika koordinimi në mbarë vendin. Ndërkohë, Federata e Përgjithshme për Arsimin, një sindikatë e dorës së dytë në Tunizi, ka njoftuar se do të nisë një mobilizim afatgjatë për më shumë të drejta.

Më datë 12 dhjetor, sindikata ka paralajmëruar mbajtjen e së ashtuquajturës “Dita e Rebelimit”, me një manifestim në kryeqytetin e vendit, Tuniz. Ndërkohë më 19 dhjetor është parashikuar një tubim përpara selisë së Ministrisë së Arsimit.

Tunizia është vendi ku dhjetorin e vitit 2010 nisën protestat masive kundër regjimit të presidentit Ben Ali, të cilat zgjatën disa muaj deri në rrëzimin e tij, e që i dhanë jetë asaj që më vonë u përhap në vendet fqinje dhe u njoh si Pranvera Arabe./abcnews.al