TIRANË- Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pak ditë më parë nënshkruan një marrëveshje me vlerë të paktën 1 miliard euro për të ndërtuar një lidhje nënujore për energjinë e rinovueshme në Detin Adriatik.
Për këtë hap madhor foli edhe zëvendësministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Ceno Klosi, gjatë një intervistë në “Money Report” në ABC News.
Ai theksoi se ky është një hap kyç për strategjinë që ka Shqipëria në fushën energjetike. Sipas tij, ndërtimi i këtij kabulli do të hapë një portë të re për tregtimin e energjisë drejt Italisë.
Numri dy i Ministrisë së Energjisë u shpreh se Shqipëria synon të kthehet në një faktor kyç në fushën e energjisë në rajon dhe po ashtu pretendon të bëhet eksportuese neto e saj.
“Kabulli në fjalë është një nga hapat kyç të qeverisë shqiptare për strategjinë që ajo ka për vitet në vazhdim. Ky kabull i hap Shqipërisë një portë shumë të rëndësishëm për tregtimin e energjisë. Synojmë të kthehemi në faktor rajonal. Porta drejt Italisë na kompleton si sektor. Do vazhdojmë investimet në sektorin energjetik. “, tha ai./abcnews.al

