Tregu në Kombinat tashmë ka një organizim të ri, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve që e frekuentojnë atë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ditën e djeshme inspektuan masat e reja të marra në tregun kryesor të kësaj zone.
Ndërkohë shihet se ditën e sotme në treg hyrja bëhet përmes një postblloku: kushdo që hyn dezinfektohet, kalojnë me radhë një nga një.
Tek rrugica ku është tregu i Kombinatit, secili prej tregtarëve do të ketë një pullë të verdhë në pragun e subjektit tregtar.
Tek shenja e vendosur me ngjyrë të verdhë blerësi do të mund të komunikojë me shitësin dhe do të mund të bëjë blerjet, e liron pastaj vendin, dhe vjen dikush tjetër.
Tregu është me një kalim, pra futesh nga një vend, dhe del në një vend tjetër, si një rrugë njëkalimshe.
Gazetarja Xhensila Kodra në një lidhje me “ABC e mëngjesit” tha se asnjë qytetar nuk është lejuar të futet në treg pa pasur maska dhe doreza në duar. Gjithashtu bëhet një kontroll i imtësishëm për lejen për të lëvizur në këto fasha orare.
Asnjë nga qytetarët nuk është lejuar të hyjnë në treg pa maskë dhe doreza, ndërkohë që personat që kanë qenë pa këto masa mbrojtëse janë pajisur nga punonjësit e bashkisë me maska e doreza.
Të gjithë shitësit dhe personat që ndodhen në ambientet e tregut janë pajisur më maska mbrojtëse. Ky është tregu i parë me këto masa të rrepta.
Ndërkohë një tjetër shqetësim është se shihet një dyndje shumë e madhe e forcave për të kontrollin e qytetarëve në treg. “Por nga ana tjetër presioni i panevojshëm rrezikon policët. Një makinë e blinduar në mes të qytetit, nuk ka për çfarë të shërbejë”, u shpreh gazetari Enkel Demi.
/abcnews.al




