Ish drejtuesi i institutit të studimeve të krimeve të komunizmit, Agron Tufa, ka publikuar një dosje, që mban firmën e kreut të SPAK-ut, Arben Kraja. Dokumenti është i korrikut të vitit 1990, ku Kraja, si hetues i regjimit komunist, ka ndaluar një person për “veprime që bien në kundërshtim me moralin komunist”.
Siç kishte paralajmëruar një ditë më parë, Agron Tufa, ish drejtues i institutit të studimeve të krimeve të komunizmit, ka publikuar një dokument mbi të shkuarën e kreut të SPAK-ut, Arben Kraja.
Dokumenti është një procesverbal, ku Arben Kraja, asokohe hetues në Shkodër, ndalon një person, me akuzën se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, kishte kryer “veprime që bien në kundërshtim me moralin komunist”.
Shumë persona janë proceduar nga hetuesia e diktaturës për këtë vepër, por ajo që bie në sy, është se hetuesi Arben Kraja, e ka ndaluar këtë individ në korrik 1990, kur regjimi komunist ishte në grahmat e fundit. Diktatura u rrëzua 5 muaj më pas.
Agron Tufa shkruan se “ky ortodoksalizëm fanatik, demonstrohet pasi kanë ikur jashtë 6000 qytetarë që shpërthyen ambasadat, me datën e dokumentit 27. 7. 1990!
Ç’të thush më? Këtij ju thoni t’i besojmë!?”
Postimi i Tufës mbyllet me shënimin “Ndalemi me kaq, se ka më…”
Shkrimtari dhe aktivisti tashmë ndodhet në Zvicër, ka kërkuar azil me pretendimin se komunistët që janë edhe sot në qeveri po e kërcënonin./abcnews.al