Chelsea ishte një ndër 12 klubet themeluese të Super League. Trajneri i ekipit londinez, Thomas Tuchel tregohet i sinqertë në prononcimin e dhënë përpara derbit të ditës së shtunë kundër West Ham, një duel tepër i rëndësishëm për objektivin Champions League.
Djemtë e Tuchel e mbyllën në barazim pa gola takimin shtëpiak të ditës së martë ndaj Brighton. Trajneri pranon se kaosi i krijuar nga Super League ndikoi për keq te skuadra, duke dhënë edhe shembullin personal.
“E pranoj, ngjarjet e ndodhur me Super League shkaktuan shpërqendrim te skuadra, por Chelsea është klubi i pronarëve, nuk është klubi im. Unë jam pjesë e klubit, por vendimet i merr presidenti. Nuk ka nevojë të më kërkojnë falje, puna ime është të përshtatem me rrethanat.
A u shpërqendruam? Sigurisht që po. Gjendja ime shpirtërore ishte e ndryshme të martën në mbrëmje, ndihesha ndryshe me rastet normale përpara fillimit të ndeshjeve. Tashmë kaloi dhe siç e thashë, nuk ka nevojë të më kërkojë kush falje“, deklaroi trajneri gjerman. /abcnews.al