Bayern Munich mori një goditje “të rëndë”, pasditen e djeshme, teksa u mund në “Allianz Arena” me rezultatin e thellë 1 me 3 nga “demat” e Leipzig, duke i dhënë mundësinë kështu “verdhezinjve” të Borussia Dortmund të marrin sot kreun e Bundesliga në rast fitore në transfertën e Augsburg.
Pas humbjes ndaj Leipzig tekniku i Bayern, Thomas Tuchel u shpreh se skuadra e tij “hoqi dorë” nga loja pas 30 minutash, më konkretisht momenti kur shënuan golin e parë.
“E nisëm ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, bëmë gjithçka që duhej për të kaluar në avantazh dhe në fakt ia dolëm. Por, pas 30 minutash hoqëm dorë nga loja. Pastaj në pjesën e dytë nuk ishim në fushë. Nuk di t’i jap një shpjegim se si mund të ndodhë një humbje e tillë”,- tha tepër i zhgënjyer Tuchel.
Ndërkaq, kujtojmë se në rast triumfi të “verdhezinjve” të Dortmund pasditen e sotme dhe në rast shpallje kampion të këtyre të fundit në javën e ardhshme, skuadra e Borussia do t’i jepte fund “mbretërimit” të Bayern Munich në Bundesliga pas 10 vitesh. /i.m /abcnews.al