Thomas Tuchel u lodh nga pyetjet e përsëritura që i drejtoheshin atij në lidhje me luftën në Ukrainë përpara ndeshjes së Chelsea në FA Cup me Luton Town.
Trajnerit të Chelseat i është kërkuar vazhdimisht mendimi i tij për këtë çështje për shkak të pronarit rus të klubit, Roman Abramovich, por gjermani përfundimisht e humbi qetësinë.
“Sa shpesh duhet ta them? Është e tmerrshme, natyrisht, është e tmerrshme, nuk mund të ketë asnjë mendim tjetër për këtë,” tha ai në konferencën e tij për shtyp.
“Të gjithë në Evropë kanë një zhurmë në kokën e tyre që askush nuk e pëlqen, ndoshta është njësoj për ju, por ju ende përpiqeni ta bëni punën tuaj sa më mirë dhe kështu është edhe për ne.
“Dëgjo, duhet të ndalosh. Unë nuk jam politikan. Duhet të ndalosh, sinqerisht,” tha Tuchel.
“Unë vetëm mund të përsëris dhe madje ndihem keq që e përsëris sepse nuk kam përjetuar kurrë luftën. Jam shumë i privilegjuar, ulem këtu në paqe dhe bëj më të mirën që mundem, por ju duhet të mos më bëni më këto pyetje. Nuk kam asnjë përgjigje për ju.”
Tuchel këmbëngul se çështjet në lidhje me pronarin janë jashtë dorës së tij.
“Ne përpiqemi të jemi të qetë dhe jemi të qetë në qendër të një stuhie ose të ndonjë zhurme rreth nesh që nuk mund ta kontrollojmë dhe nuk jemi përgjegjës për të,” tha ai.
“Në fund është më mirë të fokusohemi në atë që duam dhe atë që bëjmë, dhe ky është sporti. Dhe mendoj se ne kemi të drejtë të fokusohemi në sport, lojtarët kanë të drejtë të fokusohen.
“Kjo është ajo që ne mund të bëjmë për tifozët, t’i shpërqendrojmë ata, t’i argëtojmë dhe të bëjmë atë që bëjmë me një përpjekje maksimale dhe një angazhim maksimal.”/ h.ll/abcnews.al