Tuchel: Atalanta ka një stil unik, jemi rritur shumë. Mbappe? Do të luajë

schedule22:15 - 11 Gusht, 2020

schedule 22:15 - 11 Gusht, 2020

Thomas Tuchel është shfaqur optimist në konferencën për shtyp përpara sfidës kundër Atalantës në çerekfinalet e Champions League (e mërkurë, ora 21:00). Trajneri i PSG-së flet rreth gjendjes së Kylian Mbappe dhe Marco Verrattit, vlerëson dhe “zbërthen” rivalët italianë, dhe e mbyll me Neymar, nga i cili pritet shumë.

DËMTIMET – “Nëse Mbappe do të stërvitet rregullisht dhe nuk ndodh asgjë e veçantë nesër, ai mund të aktivizohet rregullisht gjatë ndeshjes. Sa i përket Verrattit duhet të kemi durim. Javën e kaluar ishte në gjendje të keqe, por e ka marrë disi veten”.

ATALANTA – “Kanë një stil të veçantë loje, një stil unik mund të them. Luajnë në të gjithë fushën në duelet një kundër një dhe bëjnë presing me shtatë lojtarë në gjysmëfushën e kundërshtarëve. Nesër do të ketë rëndësi të madhe aspekti taktik, por edhe përqendrimi e aspekti psikologjik”.

SKUADRA – “Kemi mundësi reale për të fituar. Skuadra më ka dhënë përshtypjen se është rritur shumë pas fitores ndaj Dortmundit. Nuk ishte e lehtë përmbysja e rezultatit, luanim pa tifozë, kishim disa mungesa, por ia dolëm dhe u kualifikuam”.

NEYMAR – “Gjithmonë ushtrohet shumë presion ndaj tij, por është një djalë i shkëlqyer dhe është mësuar me këtë stil të luajturi. Do të jetë një nga lojtarët kyç. Jemi të lumtur që Mbappe mund të aktivizohet disa minuta, kjo e gëzon edhe Neymar. Icardi? Është e rëndësishme të bëjë një ndeshje pozitive, duke llogaritur mungesat e Mbappe dhe Cavanit”. /abcnews.al