Kryetari i Organizatës Veteranët e Luftës Hysni Gucati nisi protestën në sheshin ‘Skënderbej’ për padrejtësinë ndaj pesë krerëve të UÇK të cilët ndodhen në paraburgimin e Hagës.
Gucati tha se e gjithë historia dhe bota mbarë kanë parë krimet serbe dhe se protesta e sotme nuk ka lidhje me politikën. Më tej, Gucati tha se Gjykata Speciale ka humbur besimin e shqiptarëve dhe se proceset në Hagë janë të njëanshme.
“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi, jemi për të mbrojtur luftën e shtrenjtë të UÇK, gjakun për liri. UÇK nuk ka nevojë të dëshmojë që ka qenë ushtri çlirimtare, e ka dëshmuar historia, bota mbarë. Bota mbarë pa krimet serbe. Fajtorët si popull po duan të njollosin luftën tonë për liri, ne nuk do lejojmë të përdhoset emri i të shtrenjtëve tanë. Kjo protestë nuk ka lidhje me politikën, ne kërkojmë drejtësi para ligjit dhe historisë. Tirana është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve.
Gjykata Speciale ka humbur çdo besim të shqiptarëve, proceset në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta. Drejtësia e vërtetë nuk ka frikë nga e vërteta.” / abcnews.al /

