Tubime të mëdha nga partitë fashite në Itali

schedule17:00 - 21 Maj, 2019

schedule 17:00 - 21 Maj, 2019

Një grup i madh antifashistësh janë përplasur me forcat e rendit në Bolonja, pasi po përpiqeshin  të pengonin tubime elektorale të partive fashiste në vend, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare evropiane.

Dhuna dhe tensionet po shoqërojnë fuqizimin e radikalëve të djathtë kundër emigrantëve në Itali, para zgjedhjeve euro-parlamentare. Shembull janë edhe këto përleshje që shpërthyen në Bolonjë.

Protagonistë ishin aktivistët e grupimeve anti-fashiste, të cilët u përpoqën të pengonin një takim elektoral të Forca Nuovës, partisë me profil fashist nacionalist. Policia ndërhyri për të shmangur përplasjet mes dy grupimeve.

Në duar, manifestuesit anti-fashistë mbanin parulla ku shkruhej se fashistëve nuk duhet t’u lejohet të thonë opinionin e tyre.

Duke folur për mediat, kreu i fashistëve të Forca Nuovës Roberto Fiore tha se forca e tij politike po ngre zërin për ato që shqetësojnë qytetarët e thjeshtë. Sipas tij, kreu i Lega Nord Mateo Salvini e ka kuptuar këtë dhe po vepron në bazë të kërkesave të popullit, ndaj dhe po njeh rritje të mbështetjes. Me përleshje të dhunshme u prit edhe vetë Salvini gjatë një takimi elektoral në fundjavë në Firence./ABC News Albania 24/7