Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, ka zhvilluar një vizitë diskrete në qytezën Mati, zona më e prekur nga zjarri vdekjeprurës që shkatërroi zonën lindore të rajonit të Atikës. Shefi i qeverisë, në këtë mënyrë ka dashur që të shmangë raportimin e përplasjeve të mundshme me banorët e zonës.
“Sot kam vizituar vendin e tragjedisë. Kam biseduar me civilët, inxhinierët, ushtarët, zjarrfikësit dhe vullnetarët”, shkruan Tsipras në një mesazh në Twitter, ndërsa falenderon të gjithë ata që u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Ndërkohë, vizita e tij në zonën e shkrumbuar nga flakët erdhi një javë pas rënies së zjarrit. Më përpara, ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, vizitoi qytezën Mati, ku u prit me shumë polemika nga qytetarë të shumtë. Ata akuzuan qeverinë për neglizhencë./abcnews.al