Gjatë një vizite të zhvilluar të premten në Moskë, kryeministri grek Aleksis Tsipras u shpreh njëzëri me presidentin Vladimir Putin se Athina dhe Moska janë gati të kthejnë faqe pas incidentit të 5 muajve më parë, kur qeveria greke dëboi dy diplomatë rusë që kundërshtonin marrëveshjen e Prespës.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras, janë shprehur të gatshëm ta lënë pas incidentin diplomatik që pak muaj më parë cënoi marrëdhëniet dypalëshe. Në Korrik Athina dëboi dy diplomatë rusë dhe i ndaloi hyrjen në vend dy të tjerëve pasi ishin përpjekur t’u jepnin ryshfet disa zyrtarëve që kundërshtonin marrëveshjen me Maqedoninë dhe të nxisnin protesta kundër saj.
Në një takim të zhvilluar të premten në Moskë, i pari që nga incidenti, Putin dhe Tsipras mbrojtën qëndrimet përkatëse, por u shfaqën të gatshëm për të kthyer faqe. Në fjalën e tij, Putin i cilësoi dyshimet e ngritura ndaj diplomatëve rusë “mbeturina” dhe tha se çdo incident mund të zgjidhet nga shërbimet sekrete të dy vendeve pa qenë nevoja për gjeste teatrale.
“Që në fillim ne nuk ishim dakord me arsyet përse diplomatët tanë u dëbuan nga Greqia dhe vazhdojmë të mos jemi”, tha Putin.
Ai e quajti të pakonceptueshme idenë se dikush në Rusi mund të planifikojë një komplot në dëm të një vendi aleat si Greqia.
“Këto skenare nuk kanë kuptim, janë mbeturina. Shpresoj që ajo që ndodhi të jetë tejkaluar”, shtoi Putin.
Athina dhe Shkupi nënshkruan së bashku Marrëveshjen e Prespës, që i ndryshon emrin ish-republikës jugosllave të Maqedonisë dhe njëkohësisht i hap rrugë anëtarësimit të saj në NATO, që kundërshtohet nga Rusia. Nga ana tjetër, kryeministri Tsipras shprehu besimin se ajo që ndodhi në korrik ishte një incident i izoluar dhe se mundësitë për bashkëpunim që dy vendet kanë përpara janë të mëdha.
“Unë jam i bindur se ne kemi zgjedhur të shohim përpara dhe se kjo është një çështje e mbyllur”, tha Tsipras./abcnews.al