Tsipras shpall zgjedhjet e parakohshme më 10 qershor

schedule19:29 - 3 Qershor, 2019

schedule 19:29 - 3 Qershor, 2019

Aleksis Tsipras do të shpallë më 10 qershor, datën e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen në Greqi. Vendimin kreu i qeverisë helene e ka marrë pas humbjes së rëndë në zgjedhjet lokale, në të cilat triumfoi partia opozitare Demokracia e Re.

Partia më e madhe e opozitës greke, Demokracia e re ka fituar shumicën dërrmuese të bashkive të mëdha, si dhe 12 nga 13 qarqet e vendit, në turin e dytë të zgjedhjeve administrative. Kryetari i demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis deklaroi menjëherë pas shpalljes së rezultateve të para, se harta e Greqisë u ngjyros e gjitha në blu. “Vetëm se kësaj here është ngjyra e atdheut”, shtoi Mitsotakis, një javë pas triumfit që kishte arritur partia e tij në zgjedhjet europiane të 26 majit. Në përfundim të zgjedhjeve administrative, Demokracia e re ka fituar 12 nga 13 qarqet e vendit, si dhe shumicën dërrmuese të bashkive me mbi 50.000 banorë. Konservatorët kanë fituar 35 nga bashkitë e mëdha, socialistët e Kinalit 9 dhe SYRIZA e kryeministrit Tsipras ka fituar vetëm në 5 prej këtyre bashkive.

Tsipras tha se “në politikë, ashtu si dhe në jetë, ka rëndësi të dish të fitosh, por ka rëndësi të dish edhe të humbasësh”. ”Por më e rëndësishme është të ngrihesh përsëri e të luftosh”, shtoi Tsipras, duke dashur të japë një mesazh në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 7 korrikut. Edhe pse kishte thënë që do të shkojë te presidenti i republikës menjëherë pas përfundimit të balotazhit, për të kërkuar shpalljen e zgjedhjeve, kryeministri grek do ta bëjë këtë më 10 qershor. Kjo shtyrje e afatit që vetë ai kishte deklaruar, u dha vrull skenarëve për një shtyrje deri në vjeshtë të zgjedhjeve të përgjithshme. Por këto skenarë u përgënjeshtruan nga selia e kryeministrit.

“Fitorja e dyfishtë e Demokracisë së Re konsiderohet nga konservatorët si një prelud i triumfit edhe në zgjedhjet parlamentare. Sondazhi më i fundit, i publikuar të dielën në mbrëmje, i jep partisë më të madhe opozitare kuota të njëjta me ato të zgjedhjeve europiane”.

Demokracia e re paraqitet të fitojë 36,5% të votave, kundrejt 27,5 për SYRIZA-n. Pasojnë socialistët e Kinalit me 9,5%, partia komuniste me 6,5%, ndërsa Agimi i Artë konfirmon sërish rënien drastike teksa në rastin më të mirë merr 6 për qind të votave. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!