Tsipras për zjarret: Kjo situatë nuk do të mbetet pa përgjigje

schedule14:05 - 24 Korrik, 2018

schedule 14:05 - 24 Korrik, 2018

Kryeministri grek, në një konferencë për shtyp, siguroi qytetarët se situata e tmerrshme me zjarret në rajonin e Atikës nuk do të mbetet pa përgjigje. Tsipras shpalli dhe 3 ditë zie kombëtare.

Qeveria greke zhvilloi një mbledhje urgjente lidhur me situatën e rëndë të shkaktuar nga vatrat e shumta të zjarrit në rajonin e Atikës. Pas mbledhjes, kryeministri Aleksis Tsipras doli në një prononcim për media ku bëri thirrje për mobilizimin e të gjitha forcave për të organizuar operacione shpëtimit.

“Tani është koha e mobilizimit dhe luftës. Të luftohet për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Të luftohet për të shuar zjarrin. Tani jemi në garë me kohën për të gjetur persona të zhdukur. Mos e neglizhoni jetën e tyre”, tha Tsipras.

Më tej, ai falenderoi zjarrëfikësit, ushtrinë dhe të gjithë personat e përfshirë në operacionet e shpëtimit për punën e bërë. Dhe në përmbyllje të mesazhit të tij drejtuar popullit, Tsipars u shpreh:

“Unë dua t’iu siguroj se asgjë dhe askush nuk do të harrohet. Asgjë dhe askush nuk do të lihet pa ndihmën shtetërore. Gjithashtu iu siguroj se asgjë nuk do të mbetet pa përgjigje”.

Ndër të tjera, kryeministri i Greqisë shpalli 3 ditë zie kombëtare në nderim të viktimave. Gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e të prekurve./abcnews.al