Tsipras paralajmëron Shqipërinë

schedule16:30 - 30 Mars, 2019

schedule 16:30 - 30 Mars, 2019

Gjatë qëndrimit të tij në Bukuresht, kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras paralajmëroi Shqipërinë se Athina mund të përdorë veton për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Paralajmërimi erdhi pas publikimit nga qeveria shqiptare të hartave, ku pezullohet kalimi i titujve të pronësisë në zonën e bregdetit.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka deklaruar se Athina mund të mos miratojë hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Tsipras e bëri këtë deklaratë pas publikimit nga qeveria shqiptare të hartave, ku pezullohet kalimi i titujve të pronësisë në zonën e bregdetit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, me kryeministrat e Rumanisë, Bullgarisë dhe presidentin e Serbisë në Bukuresht, Tsipras u shpreh në favor të dhënies së një date për çeljen e negociatave Maqedonisë së Veriut.

“Do të isha i lumtur nëse mundesha të them të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë. Mirëpo për fat të keq po shohim kohët e fundit disa zhvillime që nuk na kënaqin. Sot mësova se ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri. Nëse kjo është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ”.

Më tej Tsipras tha se kjo “është një çështje në këto momente nuk ofrohet optimizëm sa i përket perspektivës europiane të Shqipërisë”.

Shpresoj të përgënjeshtrohem”, tha Tsipras.

Mundësia e vendosjes së vetos nga ana e Greqisë është përmendur disa herë gjatë viteve të fundit në Athinë. Por ky është paralajmërimi më zyrtar dhe më seriozi, pasi vjen nga shefi i qeverisë greke.

Dhe në një moment që Tsiprasit i duhet të ngrejë tonet patriotike, ndërsa në Greqi është intensifikuar një fushatë elektorale e pashpallur për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më së voni në vjeshtë.

Një reagim ka ardhur edhe nga partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, që kërkon ndërprerjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

“Ne kemi paralajmëruar në kohën e duhur. Mirëpo qeveria Tsipras, ose nuk dëgjonte, ose i nënvleftësonte zhvillimet”, thuhet në deklaratën e Demokracisë së Re.

Edhe analistët vërejnë se reagimi i Athinës është i vonuar.  Analistët shtojnë se qeveria greke i dispononte mjetet politike, diplomatike dhe ekonomike, që të pengonte qysh në nisje atë që analistët e quajnë “plan i Ramës për shfarosur minoritetin grek në Shqipëri”.

Por analistët vërejnë se Athina nuk i përdori ato mjete pasi ishte përfshirë në negociatat me Tiranën për zgjidhjen e problemeve dypalëshe, negociatat që janë bllokuar prej më shumë se një viti./abcnews.al