Tsipras: Greqia ka marrëdhënie strategjike me Kinën

schedule11:15 - 27 Prill, 2019

schedule 11:15 - 27 Prill, 2019

Kryeministri grek Aleksis Tsipras deklaroi në Pekin se vendi i tij promovon një marrëdhënie strategjike me Kinën, por duke respektuar edhe angazhimet e Greqisë si vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Aleksis Tsipras është një nga pak liderët prej vendeve anëtare të bashkimit Europian, që po merr pjesë aktivisht në samitin e Rrugës së mëndafshtë.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Tsipras ka theksuar se Greqia shfrytëzon pozitën unikale, siç tha, gjeopolitike, në pikëtakimin e tre kontinenteve.

“Duam që rajoni ynë, Mesdheu Juglindor, por edhe Ballkani të mos jenë kufijtë, po urat ndërmjet Lindjes dhe perëndimit”.

Teksa afrohet fundi i mandatit katërvjeçar, Aleksis Tsipras po punon kohët e fundit që të përcjellë në opinionin vendas imazhin e Greqisë si një fuqi e butë rajonale.

Në këtë drejtim e kanë ndihmuar sinergjitë dy e trepalëshe, me vende të Ballkanit e të Mesdheut Lindor.

Përcjellja e këtij imazhi, natyrisht, lidhet edhe me zgjedhjet evropiane dhe lokale që do të mbahen muajin e ardhshëm, por edhe ato kombëtare që sipas të gjitha gjasave do të mbahen në vjeshtë.

Një nga kompanitë më të mëdha kineze, Cosco, ka marrë me koncension portin e Pireut, ku po kryen një investim gjigand, me vlerë të përgjithshme 600 milionë euro.

Tsipras tha në samitin e Pekinit se objektivi është që porti të lidhet me akset rrugore Bullgari – Deti i Zi – Rumani si dhe Maqedoni e veriut dhe Serbi.

“Rrjetet e interkonjeksionit do të forcohen me investimet e Kinës në vendin tonë, në fushën financiare dhe teknologjike gjatë viteve të ardhshëm”, tha kryeministri grek.

Më herët këtë muaj, kryeministri grek mori pjesë në takimin e Dubrovnikut, ku Greqia u bë pjesëtari më i ri i Iniciativës 16+1.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!